Agim Sulaj
18 Prill 2019•Përditësim: 19 Prill 2019
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një konferencë për drejtësinë komerciale, tha se në një kohë rekorde do të bëjnë që Kuvendi të funksionalizojë një ligj për formimin e një Gjykate Komerciale, e cila do ta bënte Kosovën vend më të sigurt për investitorët e huaj dhe do t’i ndihmonte ekonomisë së vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën e mbajtur në kuadër të Rishikimit Funksional, që synon bazën e sistemit të drejtësisë duke ofruar vizion strategjik të përshpejtimit të zhvillimit ekonomik, Veseli tha se problemi ekonomik është çështja kryesore e ikjes së qytetarëve drejt vendeve të Evropës.
Ai tha se Kosova ka resurse humane e natyrore, por duhet ndalur korrupsionin, duke shtuar se korrupsionin nuk do ta ndalë askush tjetër pos vet qytetarëve të Kosovës.
"Por, duhet të ndalet ajo që quhet korrupsion. Korrupsioni vjen vet prej nesh, është ajo që kemi dëshirë të përfitojmë prej saj, po e dëmtojmë vetveten, po i dëmtojmë familjet tona, më së shumti po e dëmtojmë shtetin dhe perspektivën. Askush s'do të na e ndalë korrupsionin pavarësisht ndërkombëtarëve që vinë e shkojnë e flasin, ne duhet ta ndalim vetë. Ne kemi mundësi ta ndalim korrupsionin. Secili, pa mëshirë, askush nuk do të përfitojë nëse tolerohet", tha Veseli.
Kreu i Kuvendit tha se prokurorët mund të bëhen heronjtë e këtij vendi, duke ngritur aktakuza edhe për njerëzit e profilit të lartë.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se drejtësia komerciale ka qenë nga fillimi i mandatit të tij prioritet. Ai tha se nevoja për Gjykatë Komerciale është e madhe ngase deri më tash Kosova ka vetëm pesë gjyqtarë që merren me çështje ekonomike.
"Sot Republika e Kosovës e ka një departament në Gjykatën Themelore që i ka pesë gjyqtarë që merren me çështje ekonomike dhe një gjyqtar në apel. A është e mjaftueshme kjo, pa dyshim që jo. Dhe, nëse sot mendojmë ta shndërrojmë një departament të tillë në gjykatë, prapë nuk e zgjidhim problemin. Pra, Republikës së Kosovës i duhet një gjykatë komerciale me një strukturë të re, e cila do të jetë adresë e bizneseve në Republikën e Kosovës dhe pa dyshim adresë e atyre investitorëve të cilët potencialisht mund të jenë nesër në Republikën e Kosovës", tha Tahiri.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj, tha se duke e rritur drejtësinë komerciale nëpërmjet efikasitetit, ndikohet që komunitetit të biznesit dhe investitorëve të huaj t’u ofrohet mjedis tërheqës dhe i sigurt për të bërë biznes.