Agim Sulaj
07 Gusht 2022•Përditësim: 08 Gusht 2022
Ministria e Punëve të Brendshme e ka shpallur person "non-grata" rusen Daria Aslamova në Republikën e Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur në rrjetet sociale se vendimin e ka marrë brenda kompetencave ligjore, bazuar në Ligjin për të Huaj.
“Hyrja e këtij personi është e ndaluar për 5 vite në territorin e Republikës së Kosovës. Kushdo që me qëllime apo direktiva të caktuara cenon apo tenton të destabilizojë vendin tonë, do të përballet pa diskutim me forcën e ligjeve të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Sveçla.
Rusja Daria Aslamova u arrestua një ditë më herët në pikë kalimin kufitar në veri të Kosovës nga pjesëtarët e policisë kosovare.
Ministri Sveçla ka thënë se shumë shtete e kanë vërtetuar që Aslamova ka qenë e angazhuar në spiunazh për inteligjencën ushtarake ruse dhe se ka vepruar në petkun e gazetares.
“E njëjta ka marrë pjesë edhe në luftimet në Ukrainë duke propaganduar mbi pushtimin rus ndaj Ukrainës”, shkroi Sveçla në ditën e arrestimit të saj në Kosovë.
Ministri kosovar theksoi faktin që Aslamova tentoi të hyjë në territorin e Kosovës “një javë pas tensioneve të shkaktuara nga strukturat kriminale në veri të vendit dhe në të njëjtën ditë kur të njëjtat struktura që orkestrohen nga Vuçiqi kanë shtënë rreth 10 herë drejt zyrtarëve tanë policorë”.