Agim Sulaj
26 Qershor 2021•Përditësim: 27 Qershor 2021
Autoritetet shëndetësore në Kosovë njoftuan se gjatë 24 orëve të fundit një person i infektuar me koronavirusin e ri (COVID-19) ka vdekur, duke bërë që numri i përgjithshëm i viktimave nga ky virus të shkojë në 2.257, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), vendi ka regjistruar 11 raste të reja me koronavirus, me çka numri i tyre ka shkuar në gjithsej 107.725.
Në 24 orët e fundit në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK dhe laboratoret private janë testuar gjithsej 1.658 mostra të dyshuara për COVID-19 ndërsa nga fillimi deri më tani janë testuar 665.753 mostra.
Sa i përket numrit të të shëruarve, të dhënat njoftojnë për 6 pacientë të rinj. Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më tani ka arritur në 105.298, ndërkohë numri i rasteve aktive me COVID-19 është 170.
Sa i përket procesit të vaksinimit, në 24 orët e fundit janë dhënë 4.682 doza të vaksinës kundër COVID-19 ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 157.338 doza të vaksinës.