Agim Sulaj
10 korrik 2026•Përditësim: 10 korrik 2026
Në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, të premtën është mbajtur një ngjarje përkujtimore me rastin e 31-vjetorit të Gjenocidit në Srebrenicë, raporton Anadolu.
Përfaqësues të institucioneve në vend, përfaqësues të organizatave të ndryshme, pjesëtarë të komunitetit boshnjak, u mblodhën për të nderuar kujtimin e më shumë se tetë mijë viktimave boshnjake të vrara në korrik të vitit 1995.
Ceremonia nisi me një minutë heshtje në nderim të viktimave të gjenocidit, ndërsa organizatorët theksuan se masakra e Srebrenicës mbetet një nga krimet më të rënda në historinë bashkëkohore të Evropës.
Në fjalën hyrëse u tha se tubimi shërben për të shprehur solidaritet me familjet e viktimave dhe për të kujtuar se edhe qytetarët e Kosovës kanë përjetuar masakra dhe krime nga i njëjti regjim.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se Srebrenica mbetet një nga dështimet më të rënda të mbrojtjes ndërkombëtare.
Ajo tha se në Srebrenicë u shkel çdo garanci që mund ta bënte njeriun të besonte se ishte i mbrojtur.
“Sot, në 31 vjetorin e Gjenocidit në Srebrenicë, Republika e Kosovës i nderon me përulje viktimat e Srebrenicës dhe qëndron pranë familjeve, që prej më shumë se tri dekada kërkojnë drejtësi, të vërtetën dhe paqën që u është mohuar ndër vite. Ne në Kosovë e dimë çfarë do të thotë të dëbohesh nga shtëpia, të humbësh njerëzit e tu, të presësh lajme nga varrezat masive dhe të jetosh pa e ditur se ku ndodhën më të dashurit”, tha Haxhiu.
Në kuadër të ceremonisë u shfaq edhe një dokumentar i shkurtër kushtuar Gjenocidit të Srebrenicës.
Në këtë ngjarje i pranishëm ishte edhe delegati në Dhomën e Popujve të Parlamentit të Federatës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Xhemal Smajiq, si dhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.