Agim Sulaj
06 Gusht 2022•Përditësim: 07 Gusht 2022
Njësia policore e Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në komunën me shumicë të banorëve serbë, Zubin Potok, është sulmuar me armë zjarri derisa ka qenë e vendosur në një barkë patrulluese në Liqenin e Ujmanit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës sulmi ka ndodhur rreth orës 11:25.
“Njësia policore ka njoftuar se në drejtim të tyre ka pasur të shtëna me armë. Kanë qenë afërsisht 10 të shtëna me armë zjarri. Të shtënat kanë qenë të njëpasnjëshme, nga pjesa tjetër e liqenit dhe kanë goditur afër barkës së policisë. Nga këto të shtëna nuk ka persona të lënduar”, thuhet në njoftimin e policisë.
Bëhet e ditur se pas sulmit në drejtim të policisë, në asistencë të njësisë policore ka shkuar Njësia e Ndërhyrjes së Shpejtë e Policisë Kufitare, derisa “Policia po vazhdon të vëzhgojë terrenin dhe ta trajtojë rastin”.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ofrimin e sigurisë dhe luftimin e kriminalitetit e me theks të veçantë të kontrabandës në atë zonë”, përfundon njoftimi i policisë.
Ditë më parë në veri të Kosovës ka pasur situatë tensionuese, si reagim i qytetarëve serbë të Kosovës në prag të fillimit të zbatimit të një vendimi të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e të gjitha targave ilegale të automjeteve që ende qarkullojnë në disa komuna të veriut si dhe reciprocitetit me Serbinë për kërkesë të dokumenteve shtesë për të gjithë shtetasit serbë që hyjnë në Kosovë.