Abdulbesar Ademi
19 Janar 2025•Përditësim: 20 Janar 2025
Me rastin e festës ortodokse “Uji i Bekuar”, në ujërat e lumit Vardar mesditën e sotme më shumë se 220 kandidatë u përpoqën në kapjen e kryqit të hedhur nga peshkopi Josif i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, raporton Anadolu.
Ceremonia e hedhjes së kryqit u ndoq nga mijëra qytetarë të Shkupit, ndërsa në mesin e mbi 220 kandidatëve që notuan në ujërat e ftohta të lumit Vardar për kapjen e kryqit, më i aftë ishte Teodor Jovevski, i cili ka arritur ta kap kryqin për të pestën herë.
Më herët, peshkopi Josif shërbeu liturgjinë e Shën Vasilit në “Kishën e Virgjëreshës Maria”, i cili pastaj i shoqëruar nga krerikë dhe besimtarë ortodoks u drejtuan për tek ura, ku dhe hodhi kryqin.
Ceremonia e hedhjes së kryqit zhvillohet në ujërat në mbarë territorin e vendit, ndër to edhe në liqenin e Ohrit, ku e pranishme ishte edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Ceremonia në hedhjen tradicionale të kryeqit në Ohër u udhëhoq nga kreu i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, kryepeshkopi Stefan, ku Martin Goxho arriti ta kap kryqin në mesin e përpjekjeve nga qindra besimtarëve ortodoksë.
Sipas besimtarëve ortodoks, hedhja e kryqit nënkupton bashkimin me Krishtin dhe besohet se ai që arrin të kap kryqin do ta ndjek mirëqenia, shëndeti dhe fati gjatë gjithë vitit.
Dita e hedhjes së kryqit, 19 janari, që tradicionalisht organizohet në shumë qytete të Maqedonisë së Veriut, në pajtim me Ligjin për festa është ditë jopune për besimtarët ortodoks në vend.