Fatjon Cuka
24 Mars 2021•Përditësim: 25 Mars 2021
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka, ka realizuar një takim me zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vlerësim maksimal për qëndrimet e faktorit shqiptar dhe rolin vendimtar në rrugëtimin evropian të Maqedonisë së Veriut. Mbështetje të plotë për nismën për regjistrimin e popullsisë", ka shkruar Xhaçka në rrjetet sociale në lidhje me takimin.
Gjithashtu, Xhaçka ka bërë thirrje për qytetarët shqiptarë brenda dhe jashtë Maqedonisë së Veriut që të regjistrohen, në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë.
Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri, Grubi është takuar edhe me presidentin Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi, kryeministrin Edi Rama, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.