Nazmi Abduramani
05 Korrik 2022•Përditësim: 06 Korrik 2022
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot ka realizuar takim me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel, i cili qëndron për vizitë njëditore në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, për sfidat lidhur me perspektivat evropiane të vendit dhe për propozimin e Bashkimit Evropian për fillimin e negociatave aderuese me BE-në, thuhet në njoftimin e kabinetit të presidentit.
“Presidenti Pendarovski përshëndeti vizitën e Michel-it, duke e karakterizuar si një tregues për përkushtimin e BE-së dhe informoi për rrjedhën e procesit të gjerë konsultativ që bëhet lidhur me propozimin francez si dhe për atmosferën në shoqërinë tonë mbi këtë çështje”, thuhet në njoftim.
Pendarovski dhe Michel u pajtuan se pranimi i propozimit francez do të mundësojë hapjen e fazës së parë të negociatave aderuese, me çka në fakt do të zhbllokohet integrimi i vendit në BE. Krahas kësaj, hapja e fazës së parë do të paraqesë nxitje të mëtejshme për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut, por do të ketë ndikim pozitiv edhe mbi gjendjen e përgjithshme të Ballkanit Perëndimor.
Bashkëfolësit shkëmbyen mendime në kontekst të shqetësimeve të qytetarëve për çështje identitare, për çka presidenti Pendarovski theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas doemos duhet të respektohen dhe garantohen nga BE-ja.