Abdula Berisha
08 janar 2021•Përditësim: 09 janar 2021
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka informuar rreth situatës aktuale në vend rreth situatës me reshjet e shiut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoti shkruan se Qendra e Situatave është në mbikëqyrje të zhvillimeve, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave, me shtabet lokale dhe me të gjitha institucionet e tjera të përfshira.
"Varësisht nga situata, mund të kërkohet edhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës", shkruan Hoti.
Sipas të dhënave nga Qendrat Operative, të publikuara nga Hoti, situata më e vështirë paraqitet të jetë në Drenas.
"Në Komunën e Drenasit, uji ka depërtuar nëpër oborre të shtëpive në Poklek, Krajkovë, Tërstenik, Shtrumbullovë, Komoran dhe në qendrën e qytetit. Në Komunën e Prizrenit ka pasur përmbytje të disa bodrume të shtëpive në lagjen Arbana", shkruan Hoti.
Ai më tej thotë se në Komunën e Malishevës janë bllokuar disa rrugë, është rritur niveli i lumit Mirushai dhe janë vërshuar rrugët që qojnë në fshatrat Bajë, Marali dhe Maxharrë.
Hoti gjithashtu thotë se vështirësi në komunikacion apo rrugë të bllokuara hasen edhe në komunat: Rahovec; Pejë, përfshirë edhe pikë kalimin kufitar “Kullë” me Malin e Zi; Klinë, ku është rregjistruar rritje e nivelit të lumenjve; Gjakovë dhe Junik.
Hoti gjithashtu shkruan se në rajonin e Pejës janë raportuar disa defekte në rrjetin e energjisë elektrike, duke shtuar se ekipet janë duke intervenuar sipas nevojave dhe mundësive për intervenim.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në rrugë për shkak të vërshimeve që ka në disa akse rrugore, si dhe rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve në disa lokacione.
Ndërkohë, në një njoftim të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, thuhet se reshjet e shiut të cilat po vazhdojnë pa ndërprerë për më shumë se 48 orë, kanë përfshirë tërë territorin e vendit, me intensitet më të shprehur në pjesën perëndimore.
"Gjatë kësaj kohe kanë rënë mesatarisht rreth 75.6 mm (lm2), reshje, duke shkaktuar përmbytje nëpër disa komuna, si pasojë e ngritjes së niveleve të lumenjve përtej kapaciteteve të tyre bartëse", thuhet në njoftim.
Evakuohen 9 familje në Gjakovë
Komuna e Gjakovës ka bërë të ditur se 9 familje me rreth 70 anëtarë janë evakuuar sonte nga lagjia “Shotë Galica” në fshatin Brekoc të kësaj komune, pasi shtëpitë e tyre janë konsideruar si të rrezikuara nga përmbytjet eventuale si pasojë e reshjeve të pandërprera të borës dhe shiut.

Për vlerësimin e gjendjes dhe mundësimin e evakuimit janë përkujdesur anëtarët e komisionit komunal, të formuar sot nga kryetari i komunës Ardian Gjini, të cilët gjatë tërë ditës kanë qëndruar në teren, në vlerësim dhe sanim të situatës së krijuar mëngjesin e sotëm.
Sipas informatave nga anëtarët e këtij komisioni, rreth 70 banorët e evakuuar, prej sonte do të strehohen përkohësisht në ambientet e Aeroportit të Gjakovës, vend ky i cili plotëson të gjitha kushtet për një jetë normale.
"Për transportin, vendosjen e tyre, ushqimin dhe pajisjet tjera të nevojshme është përkujdesur komuna e Gjakovës, ndërsa nuk ka munguar edhe përkrahja e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët po ashtu kanë kontribuar në strehimin e këtyre familjeve", thuhet në njoftimin e komunës, ku shtohet se për nesër është paraparë edhe një vizitë shëndetësore nga ekipet e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare të Gjakovës.
Nga komuna bëjnë të ditur se ekipet komunale të të gjitha niveleve vazhdojnë të jenë në gjendje gatishmërie dhe të përgatitur për secilin intervenim të mundshëm në rast të përkeqësimit të situatës.