Ergys Kavaja
09 janar 2021•Përditësim: 10 janar 2021
Reshjet e shiut në orët e fundit kanë shkaktuar probleme në Shqipëri, sidomos në Qarkun e Shkodrës dhe Lezhës, duke përmbytur sipërfaqe të tokave bujqësore dhe duke dëmtuar disa akse rrugore, raporton Anadolu Agency(AA).
Për të monitoruar situatën, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, vizitoi Qarkun e Shkodrës, i cili tha se pavarësisht se reshjet do të shtohen në ditët në vazhdim, po bëhet një menaxhim shumë i mirë i situatës.
"Dje kemi pasur dy-tre ngjarje evakuimi në Lezhë. Një në qytet dhe dy në zonat e përmbytura, zonë rurale. Edhe në Shkodër kemi patur disa evakuime. Kemi 260 trupa speciale vetëm nga Forcat e Armatosura, të specializuar në gatishmëri. Kemi mbi 1.200 trupa të angazhuara. Kemi rritur gatishmërinë, kemi kaluar një nivel më lartë", tha Peleshi
Duke iu referuar reshjeve të pritshme, dhe menaxhimit të situatës, ai tha se, "Në rast se flasim në nivel kombëtar të gjitha bashkitë kanë angazhuar dhe mobilizuar 1.500 trupa të gatshëm. Kuptohet këto shifra janë për një skenarë që jo vetëm nuk e urojmë, por nuk e besojmë se do të ndodhë".
Nga ana tjetër, në një njoftim zyrtar Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit I Shqipërisë (IGJEUM) ka konfirmuar se nivelet në lumenjtë Drin dhe Buna do të vazhdojnë të jenë të larta, me probleme lokale të përmbytjeve .
Sipas IGJEUM-it lumenjtë e tjerë do të vazhdojnë të kenë prurje të larta, por nuk priten probleme nga përmbytjet.