Admir Fazlagikj
22 Gusht 2019•Përditësim: 22 Gusht 2019
Pas marrjes në pyetje që zgjati disa orë në Gjykatën Penale në Shkup, prokurorja Katica Janeva nga Prokuroria Speciale Publike (PSP) në Maqedoninë e Veriut është dërguar në burgun e Shutkës, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjykatësi i procedurës paraprake i ka caktuar Janevës 30 ditë paraburgim për rastin "zhvatja", që u kërkua nga Prokuroria Publike për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve, me qëllim që të fitojë përfitime personale.
"Gjykata solli vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditëve për të tre dyshimet", tha prokurorja publike Villma Ruskovska nga Zyra e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Ajo shtoi se hetimi vazhdon dhe se nuk dihet se deri ku do të çojë. Paraprakisht, prokurori publik Lubomir Joveski deklaroi se hetimi për rastin "Zhvatja" po zgjerohet.
Prokuroria Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nga 15 korriku ka nisur hetimet për këtë rast kundër dy personave, Bojan Jovanovski dhe Zoran Millevski, për veprat penale "marrja e mitës për ndikim të kundërligjshëm" dhe "larje parash".
Prokuroria po heton nëse dy të dyshuarit kanë lidhje me prokuroren publike Katica Janeva. Sipas prokurorisë, dy të dyshuarit kanë kërkuar mjete financiare nga një afarist i cili është i akuzuar në rastin "Perandoria" që është nën kompetencë të PSP-së.