Saimir Alija
26 Shkurt 2020•Përditësim: 27 Shkurt 2020
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë së bashku me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizuan sot konferencën kombëtare me temë: “Bashkitë në sfidën për arsim cilësor parashkollor”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të ndryshëm dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fjalën e saj në hapje të konferencës, zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Nina Guga tha se institucioni që ajo përfaqëson po jep një kontribut të rëndësishëm sa i përket cilësisë së arsimit parashkollor, sipas saj, si një gurë themeli për të përgatitur fëmijët si qytetarë të së ardhmes.
“Ministria e Arsimit, duke e pasur prioritet zhvillimin e fëmijëve të sistemit parashkollor e ka vlerësuar gjithmonë këtë në drejtim të përmirësimit të punës për ofrimin e shërbimit cilësor për arsimin parashkollor, për një gjithëpërfshirje dhe për të favorizuar në maksimum grupet e fëmijëve që vijnë nga grupet vunerabël”, tha Guga.
Sipas saj transferimi i përgjegjësive për arsimin parashkollor nga sistemi qendror në atë vendor ka sjellë pengesa dhe vështirësi, ndërsa ajo shtoi se “falë bashkëpunimit me stafin e Projektit ‘Bashki të Forta’ kemi arritur të evidentojmë këto vështirësi për zgjidhjen e tyre në vazhdimësi.”

“Ne si institucion do të vazhdojmë të punojmë fort në nivel qendror dhe vendor për të siguruar një shërbim cilësor gjithëpërfshirës të kësaj moshe, duke u bazuar me edukimin dhe kurrikulën tonë me kompetenca që në grupmoshën 3 deri në 6 vjeç dhe duke bërë mirëtrajnimin e mësuesve të arsimit parashkollor. Ministria ka vazhduar punën gjithashtu edhe për përgatitjen e standardeve dhe zhvillimin e arritjeve për fëmijët 0 deri në 3 vjeç si dhe do të vijojë përgatitja e të gjitha manualeve që mësuesit dhe fëmijët e kësaj grup moshe kanë nevojë”, deklaroi Guga.
Ndërsa zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri, tha se bashkëpunimi për këtë fushë do të jetë i vazhdueshëm si në nivel qendror ashtu dhe në nivelin vendor.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka në politikat e saj vëmendje të veçantë sa i përket fëmijëve dhe politikave që hartohen për mbrojtjen e tyre. Aktiviteti i sotëm është i rëndësishëm, sepse ka të bëjë me faktin e edukimit që në hapat e parë të procesit të edukimit të fëmijëve”, tha Kospiri.
Duke folur për vëmendjen ndaj fëmijëve, Kospiri theksoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka një vëmendje të shtuar ndaj të drejtave të fëmijëve dhe për këtë tha ajo ky institucion ka hartuar ligje dhe dokumente të rëndësishme.