Agim Sulaj
09 prill 2019•Përditësim: 10 prill 2019
Në 20 vjetorin e Betejës së Koshares, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se kjo betejë hapi një kapitull të ri në atë kohë, atë për liri, çlirim e pavarësi të Kosovës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç njofton komunikata nga Zyra e Presidentit, Thaçi sot ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Koshare dhe ka marrë pjesë në manifestimin “Ditët e Shqipes 2019”.
“Sot shënojmë 20 vjetorin e kësaj beteje patriotike, atdhetare, të rëndësishme, historike dhe vendimtare për çlirimin e Kosovës. Në radhët e këtyre angazhimeve për liri dhe pavarësi, për çlirim ishin bashkuar të gjithë. Ishin bashkuar të gjithë me një synim, me një qëllim, me një vizion, çlirimin përfundimtar të Kosovës nga sundimi për më tepër së njëshekullor i Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi.
Ai theksoi se "sot kur shënojmë 20 vjetorin e Betejës së Koshares, në të njëjtën kohë kujtojmë edhe masakrat që shteti i Serbisë ka kryer në Kosovë".
“Këto përkujtime kanë dinjitetin, kanë krenarinë e në të njëjtën kohë kanë dhimbjen dhe lotët në sytë e çdo qytetari për ata që dhanë jetën për liri, në veçanti për martirët që u ekzekutuan pamëshirshëm nga ushtria dhe policia serbe. Pra, kujtojmë edhe 13 mijë e 500 civilë të vrarë nga shteti i Serbisë, kujtojmë rreth 400 masakra anekënd Kosovës dhe rreth 20 mijë gra të dhunuara po nga ushtria dhe policia e Serbisë”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai tha se tash 20 vite pas kësaj beteje, janë 20 vite të përpjekjeve për shtetndërtim, 20 vite të krenarisë, të dinjitetit dhe të forcimit të identitetit shtetëror, për ndërtimin e Kosovës së re, Kosovës euroatlantike, Kosovës që gjithmonë do të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe gjithë partnerët tjerë që na ndihmuan për liri dhe pavarësi.
Duke u bazuar në kompetencat e tij kushtetuese, për kontributin patriotik dhe atdhetar të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Thaçi e ka dekoruar këtë brigadë me “Urdhrin e Lirisë” dhe nga sot të gjithë dëshmorët e kësaj brigade i ka shpallur heronj të Kosovës.