Ekip
24 Gusht 2021•Përditësim: 25 Gusht 2021
Algjeria vendosi të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me fqinjin e saj Marokun, duke akuzuar Rabatin zyrtar se ka "prirje armiqësore" ndaj saj, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministri i Jashtëm i Algjerisë, Ramtane Lamamra, tha në një konferencë për media se vendimi i Algjerisë për të ndërprerë lidhjet me Marokun do të jetë efektiv nga sot, duke shtuar se vendimi erdhi nën drejtimin e Presidentit Abdelmadjid Tebboune.
"Kur ndërpriten lidhjet, kjo pasohet nga një rishikim i të gjitha marrëdhënieve dhe kontrollimi i asaj që do të anulohet dhe çfarë duhet të mbahet", tha ai.
Lamamra shtoi se ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të dëmtojë qytetarët e dy vendeve, pasi konsullatat do të vazhdojnë të funksionojnë normalisht.
Nuk kishte asnjë koment nga autoritetet marokene për këtë veprim.
Më 18 gusht, presidenca algjeriane tha në një deklaratë se "akte të vazhdueshme armiqësore" nga Maroku kërkojnë një rishikim të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe intensifikim të monitorimit të sigurisë përgjatë kufirit perëndimor.
Marrëdhëniet midis dy vendeve janë tensionuar për dekada shkaku i rajonit të diskutueshëm të Saharasë midis Rabatit dhe Frontit Polisario të mbështetur nga Algjeria.