Yusuf Özcan
07 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
PARIS (AA) - Ministri i Brendshëm francez, Christophe Castaner, bëri të ditur se forcat e rendit kanë arrestuar ish-boksierin Christophe Dettinger, i cili akuzohet se ka sulmuar policët e Parisit gjatë protestave të së shtunës të cilat u shndërruan në trazira, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një postim në rrjetet sociale, Castaner tha se ish-kampioni 37 vjeçar i Francës në boks, Dettinger, do të përgjigjet për akuzat se ka goditur në mënyrë brutale policët gjatë trazirave pranë muzeut Osray.
Pamjet në të cilat shihet boksieri Dettinger duke sulmuar policët me helmeta dhe mburoja, janë bërë një hit viral i rrjeteve sociale.
Kujtojmë se tashmë për dy muaj në Francë mbahen protesta të cilat organizohen nga lëvisja “jelekët e verdhë”.
Lëvizja ka marrë emrin në bazë të jelekëve fluoreshente, të cilat sipas ligjit, duhet t’i ketë secili automjet në Francë.
Protestat nisën në mes të nëntorit të vitit të kaluar pas njoftimit të autoriteteve franceze se do të rrisnin taksën e karburantit.
Të paktën dhjetë të vrarë, rreth një mijë të lënduar dhe mbi 4.500 të arrestuar është bilanci që nga fillimi i protestave.