Emre Aytekin
07 Janar 2019•Përditësim: 08 Janar 2019
ANKARA (AA) - Vajza saudite e cila u ndalua në Aeroportin e Bangkokut në Tajlandë me kërkesë të autoriteteve të Arabisë Saudite duke ikur nga dhuna familjare nuk do të ekstradohet në asnjë vend jashtë vullnetit të saj, njoftuan zyrtarët tajlandezë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sauditja 18-vjeçare Rahaf Muhammed al-Qunun do të mbahet në Tajlandë në mënyrë që kërkesa e saj për azil në Australi të shqyrtohet nga ana zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara (OKB), thanë zyrtarët tajlandezë, raportoi gazeta vendase Bangkok Post.
Surachate Hakparn, drejtor i Departamentit Policor të Emigracionit të Tajlandës, tha se vajza e re saudite e cila u ndalua në aeroport, prej ku do të bënte tranzit në Australi, dhe e cila më pas mbylli veten në një dhomë hotelit në aeroport, nuk do të deportohet në asnjë vend jashtë vullnetit të saj.
"Nëse nuk do të shkojë, ne nuk do ta detyrojmë. Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatë (UNHCR) dhe ne do ta dëgjijmë atë, do ta pyesim nëse ka bërë kërkesë për azil në ndonjë shtet dhe në përputhje me këto do të bëjmë koordinimin", tha Hakparn.
Përfaqësia e UNHCR-së në Tajlandë bëri të ditur se zyrtarët e OKB-së kanë kaluar në kontakt me vajzën e re për të diskutuar kushtet e azilit.
Ndryshe, Qunun, e ndaluar në areport për t'u kthyer te familja e saj që jeton në Kuvajt, tërhoqi vëmendjen e opinionit me postimet e saj në rrjetin social Twitter. Në vazhdën e zhvillimeve u pohua se zyrtarë të Ambasadës së Arabisë Saudite në Bangkok i kanë konfiskuar pasaportën.