İlyas Tayfun Salcı
29 prill 2020•Përditësim: 30 prill 2020
Numri i të vdekurve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 26.097, pasi bilancit të përgjithshëm i janë shtuar edhe vdekjet e regjistruara në azile, raporton Anadolu Agency (AA).
Në shifrën totale nga koronavirusi janë shtuar 3.811 viktima që kanë humbur jetën jashtë spitaleve nga 2 marsi deri më 28 prill, si dhe bilanci ditor prej 765 viktimash, tha ministri i Shëndetësisë Dominic Raab në konferencën ditore për media.
Raab tha se duke filluar nga sot, në bilancin ditor të të vdekurve do të përfshihen edhe vdekjet jashtë spitaleve.
Sipas tij, vendi ka kryer 52.429 teste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të testeve në 818.539, ndërsa me 4.076 raste të reja, numri i të diagnostikuarve me virusin ka arritur në 165.221.
Qeveria britanike kishte premtuar se deri në fund të prillit do ta çonte numrin e testeve ditore në 100 mijë.
Qeveria ishte në shënjestër të kritikave pasi deri më tani nuk njoftoheshin vdekjet në azile.
Kryekëshilltari shkencor i qeverisë britanike, Sir Patrick Vallance, në ditët e para të krizës kishte deklaruar se synojnë që bilancin e të vdekurve nga COVID-19 ta mbajnë nën 20 mijë.
Qeveria britanike në etapën e parë kishte paraparë përhapje të kontrolluar të virusit për "fitimin e imunitetit kolektiv". Ajo u tërhoq nga ky plan pas raportimeve dhe shqetësimeve se numri i të vdekurve mund të shkojë në mbi 300 mijë.
Vendi më 23 mars kufizoi daljen e qytetarëve në rrugë dhe mbylli bizneset, me përjashtim të marketeve dhe farmacive.
Në Britani nga koronavirusi janë prekur edhe princi Charles më 25 mars, si dhe kryeministri Boris Johnson dhe ministri i Shëndetësisë Matt Hancock më 27 mars.
Boris Johnson u shtrua në spital më 5 prill pas vazhdimit të simptomave, ndërsa një ditë më vonë u vendos në kujdes intensiv. Më 9 prill, ai u largua nga kujdesi intensiv, ndërsa tri ditë më vonë, më 12 prill, u lirua nga spitali.
Ndërkaq, princi Charles dhe ministri Hancock u shëruan pa pasur nevojë për trajtim në spital.