Faruk Zorlu
04 nëntor 2019•Përditësim: 06 nëntor 2019
Aeroporti ndërkombëtar Mitiga në Tripoli sot në mëngjes ka qenë shënjestër e sulmeve ajrore, raporton Anadolu Agency (AA).
Forcat besnike të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar të Libisë (QPK), e cila është e njohur ndërkombëtarisht, njoftuan se sulmet i kryen avionë të forcave që mbështesin komandantin nga lindja e Libisë, Khalifa Haftar.
Zëdhënësi i Qeverisë libiane, Mustafa el-Mecei, për AA tha se në aeroport janë kryer katër sulme, por nuk zbuloi detaje mbi pasojat e sulmit.
Forcat e Haftarit në muajin prill filluan fushatë për të marrë Tripolin nga QPK-ja e njohur ndërkombëtarisht në Libi.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (WHO) përplasjet kanë lënë më shumë se 1.000 persona të vdekur dhe rreth 5,500 të plagosur.
Vendi i pasur me naftë ka mbetur i përfshirë nga trazirat që nga viti 2011, kur sundimtari i afatgjatë, Muammar Gaddafi u përmbys dhe u vra në një kryengritje të mbështetur nga NATO pas katër dekadash në pushtet.