Yusuf Özcan
17 Qershor 2020•Përditësim: 17 Qershor 2020
Rifaat Al-Assad, xhaxhai i Bashar al Assadit dënohet me 4 vite burg në Francë për "keqpërdorim të fondeve publike dhe pastrim të parave", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmeve në shtypin francez, mësohet se gjykata penale në Paris ka dhënë vendimin e dënimit me 4 vite burg ndaj Rifaat Al-Assad me akuzat për keqpërdorim të fondeve publike dhe pastrim të parave.
Gjykata gjithashtu ka vendosur edhe konfiskimin e pasurisë së tij në Francë, i cili nuk mori pjesë në gjykim.
Rifaat Al-Assad u shpall gjithashtu fajtor për krijimin e një perandorie të pasurive të patundshme duke përdorur fonde të shtetit sirian në mënyrë të paligjshme.
Theksohet se pasuritë e xhaxhait të Assadit në Francë arrijnë në 90 milionë euro.
- Pronar i shumë pasurive të patundshme luksoze në Paris dhe Lyon
Prokuroria e Parisit, filloi një hetim kundër Rifaat Al-Assad në vitin 2016 me akuzat për "keqpërdorim të fondeve publike" dhe "pastrim të parave". Ai njihet se është pronar i shumë pasurive të patundshme luksoze në qytetet Paris dhe Lyon.
Shoqata “Sherpa” e cila hulumton krimet financiare në Francë, kishte pretenduar se pasuria e Assad e cila tejkalon 100 milionë euro ishte e dyshimtë.
Rifaat Al-Assad, njihet si një prej personave kyç të masakrës në Hama në vitin 1982 në periudhën e vëllait të tij Hafez Assad.
Sipas Amnesty International, për masakrën ku u masakruan 10 deri në 25 mijë civilë mbahet përgjegjës Rifaat Al-Assad i cili ishte emri numër dy i regjimit dhe shefi i shtabit të përgjithshëm.
Ndërkohë 2 vite pas Hama-s u pretendua që Rifaat Al-Assad u përpoq të rrëzojë vëllain e tij Hafez al Assad dhe ai u dëbua nga Siria.
Rifaat Al-Assad sot është në moshën 80 vjeçare dhe dihet që ai herë pas here ka banuar në Paris, Londër dhe në qytetin Marbella të Spanjës.