Ekip
05 Mars 2021•Përditësim: 05 Mars 2021
Mes kritikave të përhapura se bllokimet gjatë fundjavave janë një masë e ashpër, qeveria franceze ka hequr dorë nga propozimi për të mbyllur Parisin dhe qytete të tjera të mëdha në rrezik dhe në vend të kësaj ka vendosur të mbyllë hapësirat e mëdha tregtare për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke njoftuar masën e re në një konferencë për media, kryeministri Jean Castex tha se vetëm qendrat e mëdha tregtare me mbi 10 mijë metra katrorë do të duhet t'i mbajnë dyert e tyre të mbyllura në departamentet në rrezik. Këto përfshijnë pjesë të mëdha të rajonit Ile-de-France, të tilla si në Paris, Seine-Saint-Denis dhe Essone si dhe qytetet Lyon dhe Marsej.
Pas njoftimit të javës së kaluar nga kryeministri Castex për kufizimin e personave gjatë fundjavave, këshilltarët dhe krerët e bashkive në Paris kundërshtuan planin duke e përshkruar atë çnjerëzor dhe të ashpër për miliona banorë që jetojnë në kushte të ngushta të strehimit.
Përveç qyteteve Nice, Cannes dhe Dunkirk, ku bllokimi gjatë fundjavave është në fuqi, edhe Pas-de-Calais është shtuar në listë për shkak të shkallës së lartë të infektimit, respektivisht 406 raste javore në 100 mijë banorë përkundrejt mesatares kombëtare prej 250 rastesh.
"Në përgjithësi infeksionet e reja vazhdojnë të shënojnë rritje graduale, me llojin e Mbretërisë së Bashkuar që përbën 60 për qind të rasteve totale në Francë", tha Castex.
"Qarkullimi i virusit ka vazhduar të përparojë, por nuk ka ndonjë rritje eksponenciale të epidemisë", shtoi ai.
Të dhënat e fundit nga autoritetet shëndetësore regjistruan 25.279 raste të reja dhe 293 vdekje.
Qeveria shpreson në një ritëm të përshpejtuar të vaksinimit në javët e ardhshme dhe mot më të butë që të mund të fillojë rihapjen e restoranteve, vendeve kulturore dhe sallave të kinemasë të cilat kanë mbetur të mbyllura që nga muaji tetor. Ajo po ashtu shpreson të inokulojë 20 milionë persona deri në mesin e muajit maj.
Deri më tani në Francë janë vaksinuar rreth 3.2 milionë persona, nga të cilët rreth 1.8 milionë kanë marrë dozën e dytë.