Ömer Aydın
06 Mars 2018•Përditësim: 06 Mars 2018
CALAIS (AA) – Vetëm dy persona janë paraqitur në shpërndarjen e ushqimit nga shteti i Francës në kampin në afërsi të qytetit Calais, në veri, në të cilin nga viti 2002 e deri më tani po qëndrojnë refugjatët, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas artikullit të gazetës lokale "La Voix du Nord" njoftohet se ka hyrë në fuqi praktika e shpërndarjes së ushqimit për refugjatët dhe emigrantët, e cila është vendosur më parë nga qeveria.
Më tej thuhet se shteti ka nisur të shpërndajë me dy automjete mëngjesin e përgatitur nga djathi, buka dhe pije të nxehta për 350 persona, por që vetëm dy refugjatë kanë ardhur të marrin këtë ushqim.
Në fushën e shpërndarjes, praktikë e cila ka nisur të zbatohet për herë të parë, prisnin zyrtarët e prefekturës, forcat e sigurisë, gazetarët dhe punonjësit e ndihmave sociale por që refugjatët nuk kanë shkuar në këtë fushë nga frika që të mos vendosen në paraburgim, apo të mos regjistrohen të dhënat e identitetit të tyre.
Refugjatët dhe emigrantët të cilët mblidhen në rajonin Calais me qëllim që të kalojnë në Britani të Madhe, që nga vitet 2000 kanë filluar të jetojnë në tenda të vendosura në fushën e quajtur “Jungle” (Xhungëll). Numri i refugjatëve dhe emigrantëve në këtë vend gjatë periudhës së fundit është rritur në 10 mijë.
Kampi “Jungle” në muajin tetor të vitit 2016 ishte shpërndarë me një vendim të qeverisë së Francës, kurse refugjatët pas një kohe të shkurtër përsëri ishin mbledhur përreth qytetit Calais. Sipas parashikimeve në rajon ndodhen rreth 600 persona.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron në muajin janar vizitoi Calais-in dhe bëri të ditur se shteti ka marrë detyrën e shpërndarjes së ushqimit për refugjatët dhe emigrantët. Deri më tani, kërkesat për ushqim të refugjatëve dhe emigrantëve e kryenin shoqatat e ndihmave humanitare.
Prefektura e rajonit Calais, vitin e kaluar ndaloi dhënien e ujit për refugjatët ndërsa pas reagimeve të shumta hoqi këtë ndalesë.