Mahmut Geldi
06 Mars 2018•Përditësim: 06 Mars 2018
RIJAD (AA) - Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) dënon vendimin e Guatemalës për të zhvendosur ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim OBI reagon ashpër ndaj Guatemalës e cila ka vendosur që në muajin maj të zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Kuds.
"Ky hap i paligjshëm është në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), në veçanti rezolutën 478 të OKB-së si dhe me vendimin e OKB-së për të mos pranuar asnjë lloj praktike që do të shkatërronte statusin historik dhe ligjor të qytetit të Kudsit", thuhet në deklaratë.
Ndër të tjera në deklaratë bëhet e ditur se Sekretari i Përgjithshëm i OBI-t Jusuf bin Ahmed el-Usejmin në janar i dërgoi një mesazh ministrit të Punëve të Jashtme të Guatemalës, duke i bërë thirrje Guatemalës se duhet të heq dorë nga vendimi për zhvendosjen e ambasadës së saj në Kuds dhe për të kontribuar në mundësitë e paqes në favor të zgjidhjes me dy shtete që do të sjell stabilitet në rajon.
"OBI e hedh poshtë këtë vendim të paligjshëm, i cili krahas miliona muslimanëve në botë bart cilësinë e një sulmi ndaj të drejtave të popullit palestinez dhe i cili kontribuon në thellimin e okupimit izraelit në qytetin e Kudsit", qëndron në deklaratë.
Presidenti i Guatemalës, Jimmy Morales një natë më parë, pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Washington të SHBA-ve njoftoi se ka vendosur që në muajin maj të zhvendos ambasadën e vendit të tij nga Tel Avivi në Kuds.
Presidenti i SHBA-ve Donald Trump në një deklaratë më 6 dhjetor 2017 solli vendimin për njohjen e Kudsit si "kryeqytet të Izraelit" dhe lëshimin e një urdhëri për të zhvendosur ambasadën nga Tel Avivi në Kuds.