Adam Abu-bashal
13 Dhjetor 2020•Përditësim: 14 Dhjetor 2020
Një grup i armatosur ka rrëmbyer qindra nxënës meshkuj në një sulm që kreu ndaj një shkolle konviktore në rajonin Katsina të Nigerisë, në Afrikën Perëndimore, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në mediat vendase thuhet se grupi i armatosur kreu një sulm ndaj një shkolle me konvikt në zonën Kankara. Pas sulmit bëhet e ditur se janë zhdukur rreth 400 persona.
Presidenti i Nigerisë, Muhammadu Buhari, në një deklaratë dënoi sulmin frikacak që grupi i armatosur ka kryer ndaj fëmijëve të pafajshëm dhe theksoi se forcat e sigurisë kanë përcaktuar në pyll grupin e armatosur dhe se kanë filluar një operacion.
Zëdhënësi i policisë në rajonin Katsina, Gambo Isah tha se gjatë operacionit është plagosur një prej forcave të sigurisë dhe se do të dërgohen përforcime të forcave të sigurisë për operacionin e kërkimit dhe shpëtimit.
Guvernatori i Katsinas, Aminu Masari pas sulmit ka dhënë udhëzimin për mbylljen e të gjitha shkollave konviktore në rajon.
Rikujtohet se në disa rajone në vend është ndaluar përdorimi i motorçikletave pasi kohët e fundit persona të armatosur kanë kryer sulme me motorçikleta.
Shpeshherë rajoni është skenë e konflikteve të ashpra mes fisit Fulani që merren me blegtori dhe disa fiseve të tjera që jetojnë me bujqësi.