Fatjon Cuka
28 Shtator 2016•Përditësim: 29 Shtator 2016
TIRANË (AA) - Është hapur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë edicioni i shtatë i Panairit të punës dhe studimeve, ku në ceremoninë e hapjes ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, si dhe drejtues të universiteteve shqiptare dhe kompanive pjesëmarrëse në panair, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministrja Nikolla, duke shprehur vlerësimet e saj për panairin, sidomos në fazën aplikimit dhe regjistrimit të studentëve nëpër universitetet e vendit u shpreh se qeveria do të mbështesë institucionet e arsimit të lartë për të rritur standardet e tyre.

"Qeveria shqiptare do të jetë partnere dhe nuk do të heqim dorë nga ajo rruge e re që kemi ndërtuar e komunikimit me të gjitha institucionet e arsimit të lartë. Ky partneritet do të vazhdojë për të mundësuar një histori të re që institucionet tona të arsimit të lartë të jenë pjesë dinjitoze e hapësirës evropiane të arsimit lartë", u shpreh Nikolla.
Në këtë panair përveç ekspozimeve të enteve dhe kompanive më të mëdha punëdhënësish dhe atyre të edukimit kombëtar, do të ketë dhe aktivitete informuese dhe trajnuese në bashkëpunim me institucionet që organizojnë këtë panair.
Në Panairin e punës dhe studimeve, kompani të ndryshme të sektorit bankar, ndërtimit, etj, si dhe universitetet publike dhe private do të prezantojnë mundësitë e tyre të punësimit dhe studimit dhe kapacitete e tyre, etj.
Sipas organizatorëve, me anë të këtij panairi synohet të krijohet një strategji e re në tregun e punës dhe të studimit, sidomos për të orinetuar të rinjtë.
Ky panair kombëtar organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në partneritet me Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe Ministrinë e Mirëqenies Sociale, dhe do të qëndrojë i hapur nga datat 28 - 30 shtator.