Hakan Çopur
15 dhjetor 2017•Përditësim: 15 dhjetor 2017
WASHINGTON (AA) - Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, gjenerali Herbert Raymond McMaster, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) korrigjoi deklaratat e tij të mëparshme duke thënë: "Ashtu si Presidenti Donald Trump, edhe unë jam një nga ata që besoj në mënyrë solide në një aleancë të fortë midis Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara".
Në një intervistë me shkrim për gazetarin e AA-së ai ka shpjeguar deklaratat e tij të bëra ditën e martë gjatë një fjalimi në lidhje me Turqinë. Duke kujtuar se ai në fjalën e tij ishte përqendruar në ndërprerjen e financimit të organizatave terroriste në rajon që përhapin ideologjitë radikale dhe të organizatave terroriste, McMaster në lidhje me fjalët e tij për Turqinë tha se "Unë theksova se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mund të bëjnë më shumë së bashku për të ndërprerë financimin e njerëzve që nxisin urrejtjen dhe dhunën në bazë të një ideologjie jofetare".
- "Jam nga ata që besoj në mënyrë solide në një aleancë të fortë mes nesh"
"SHBA dhe Turqia duhet të punojnë së bashku me aleatë të tjerë për këtë kërcënim (ideologjitë radikale). Ashtu si Presidenti Trump, edhe unë jam nga ata që besoj në mënyrë solide në një aleancë të fortë mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara", është shprehur McMaster, duke shtuar se ai është rritur duke dëgjuar heroizmat e ushtarëve turq në Luftën e Koresë dhe se të dy vendet do të qëndrojnë së bashku kundër kërcënimeve ekstremiste. "
Ne jemi të vetëdijshëm dhe mbështesin përpjekjet e Turqisë për të përmirësuar sigurinë e kufirit, për të parandaluar kalimin e luftëtarëve të huaj dhe për të luftuar DEASH-in. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të siguruar që DEASH të mundet përgjithmonë", ka vlerësuar më tej McMaster, duke theksuar se SHBA do të bashkëpunojë me Turqinë për të luftuar elementët e Al Kaedës në Siri dhe për të parandaluar që ky vend të bëhet një strehë e sigurt për terroristët. "SHBA-të ashtu sikurse për dekada të tëra, do të vazhdojë të qëndrojë në anën e Turqisë kundër kërcënimit terrorist të PKK-së", është shprehur McMaster.
Në deklaratën e tij McMaster ka theksuar gjithashtu se "SHBA-të kanë kohë që e kanë mbështetur Turqinë dhe do të vazhdojnë ta mbështesin atë. Turqia është një vend i cili prej një kohe të gjatë i ka treguar botës muslimane dobitë e qarta të reformës, modernizimit, moderimit dhe të progresit. SHBA, Evropa dhe Lindja e Mesme dhe më e rëndësishmja populli turk ka ende nevojë që Turqia të tregojë këtë rrugë".
McMaster në një fjalim ditën e martë në një panel në Washington kishte bërë deklaratën duke pretenduar se "Turqia është një prej vendeve që mbështet ideologjitë islame radikale". Pas kësaj deklarate, MPJ e Turqisë në një deklaratë theksoi se “Deklaratat e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare McMaster, i cili është në një pozitë ku duhet të dijë më së miri se si shteti jonë lufton me të gjitha dimensionet e terrorizmit dhe radikalizmit, nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën dhe janë të habitshme, të pabaza dhe të papranueshme”.