Ali H. M. Abo Rezeg
28 Korrik 2020•Përditësim: 29 Korrik 2020
Një shpërthim ka ndodhur në një rezervuar për ruajtjen e karburantit në provincën Kermanshah në Iranin perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia iraniane e lajmeve Mizan pa dhënë detaje raportoi se shpërthimi ndodhi në zonën industriale Dolat Abad.
Javëve të fundit, në Iran janë raportuar zjarre në pjesë të ndryshme të vendit.
Më 13 korrik, flakët shpërthyen në një fabrikë gazi në Iranin lindor, pasuar nga një shpërthim në zonë. Televizioni shtetëror raportoi se incidenti ndodhi në një fabrikë të kondensatës së gazit në zonën industriale Kavian Fariman në provincën Razavi Khorasan.
Më 26 qershor, një shpërthim u raportua në afërsi të vendit ushtarak Parchin në pjesën verilindore të kryeqytetit Teheran, siç thanë zyrtarët të cilët njoftuan se nuk pati viktima, për shkak të "një shpërthimi të rezervuarit të gazit".
Katër ditë më vonë, më 30 qershor, një shpërthim masiv dëmtoi një klinikë në Tajrish, në pjesën veriore të kryeqytetit, duke lënë të vdekur 19 persona. Autoritetet thanë se incidenti ndodhi për shkak të një rrjedhje të gazit.
Ky incident pasoi nga një incident tjetër në objektin bërthamor Natanz, rreth 250 kilometra në jug të Teheranit në provincën Isfahan, ku më 2 korrik shpërthimi dëmtoi një "derdhje industriale" afër objektit kryesor.
Më 4 korrik, një zjarr shpërtheu në një stacion energjetik në qytetin Ahwaz në jugperëndim të Iranit. Zjarri dëmtoi një transformator të energjisë elektrike, por u shua me shpejtësi nga zjarrfikësit.
Këto incidente jashtëzakonisht të ngjashme që po ndodhin javëve të fundit në Iran, shkaktuan spekulime për shkaqet e tyre, me disa që fajësojnë vendet e huaja.