Ekip
28 Korrik 2017•Përditësim: 28 Korrik 2017
ROMË (AA) – Qeveria e Italisë ka aprovuar dërgimin e njësiteve detare italiane në Libi për të ndihmuar në luftën kundër trafikantëve të migrantëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri italian Paolo Gentiloni të premten tha se masa, të cilën e kërkoi Qeveria e Libisë, paraqet “kontribut të rëndësishëm në përforcimin e sovranitetit libian”.
“Ky nuk është operacion të cilin e bëjmë kundër sovranitetit të Libisë”, shtoi ai.
Detajet mbi operacionin, përfshirë edhe kushtet e angazhimit të njësiteve detare, nuk janë zbuluar pas aprovimit të kabinetit të Gentilonit, por kryeministri tha se Italia nuk do të “dërgojë flotë të madhe apo skuadër ajrore”.
Ky operacion do të shqyrtohet nga ana e komisionit parlamentar javën e ardhshme, ndërsa Gentiloni theksoi se shpreson se do të marrë pëlqim të plotë.
Masa është pjesë e përpjekjeve në luftën kundër trafikantëve të migrantëve, të cilët dërgojnë mijëra migrantë drejt Italisë.