Barış Seçkin
30 Nëntor 2022•Përditësim: 01 Dhjetor 2022
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani deklaroi se në Ballkanin Perëndimor ka nevojë të madhe për Evropën dhe se kjo është strategjia e re e vendit të tij, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tajani mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s në Bukuresht të Rumanisë.
"Kemi nevojë për më shumë Evropë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është strategjia e re e Italisë. Stabiliteti është jetik për ruajtjen e paqes dhe madje edhe për të luftuar imigracionin e paligjshëm", tha Tajani.
Ai tha se si NATO, duhet të mbrojnë të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor dhe fqinjët e Ukrainës. "Është e rëndësishme të punojmë së bashku tani sepse uniteti është gjëja më e rëndësishme dhe është mesazh i qartë për Rusinë që ne jemi të gatshëm të mbrojmë këto vende", tha Tajani.
Me rastin e takimit, Tajani u takua edhe me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.
Ministria e Jashtme e Italisë në Twitter theksoi se dy ministrat u fokusuan në qëndrueshmërinë e infrastrukturës në Ukrainë dhe diskutuan çështjen e mbështetjes, përfshirë mbrojtjen civile italiane, zhvillimet e fundit në tokë dhe nisma e eksportit të drithërave.
Tajani deklaroi në Twitter se Italia dëshiron paqe të drejtë që respekton pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës.