Ekip
24 Gusht 2021•Përditësim: 25 Gusht 2021
Kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se do të diskutojë me presidentin amerikan Joe Biden se si të "frenojë" programin bërthamor të Iranit, transmeton Anadolu Agency (AA).
"Ne do të merremi me shumë fronte, veçanërisht frontin iranian, veçanërisht kërcimin që ndodhi në dy ose tre vitet e fundit, në programin bërthamor iranian", u tha Bennett përfaqësuesve të mediave para se të nisej për në Washington.
"Ne do të flasim për planet për të frenuar programin bërthamor të Iranit", shtoi ai.
Kryeministri izraelit gjithashtu tha: "Ka një qeveri të re në SHBA dhe një qeveri të re në Izrael, dhe unë sjell me vete një frymë të re bashkëpunimi, bazuar në një marrëdhënie të veçantë dhe afatgjatë midis dy vendeve".
Bennett, i cituar nga gazeta Yedioth Ahronoth, tha se ai gjithashtu do të diskutonte me Biden-in "disa masa për të rritur epërsinë ushtarake të Izraelit".
"Unë jam duke udhëtuar në Washington për të takuar presidentin Joe Biden, mikun e vjetër dhe të vërtetë të Izraelit", tha ai, duke vënë në dukje se do të takohet nesër me disa zyrtarë amerikanë, përfshirë Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, dhe Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Gjashtë raunde bisedimesh në Vjenë mbi ringjalljen e marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore nuk arritën ndonjë rezultat, me mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi kërkesat e pajtueshmërisë reciproke dhe sanksionet amerikane.
Izraeli kundërshton kthimin e SHBA-së në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me Iranin, pasi administrata e ish-presidentit Donald Trump u tërhoq nga ajo në vitin 2018.