Turgut Alp Boyraz
28 Korrik 2017•Përditësim: 28 Korrik 2017
JERUSALEM (AA) - Policia izraelite ka njoftuar se sot nuk do të lejojë hyrjen në kompleksin Al Aksa të meshkujve nën moshën 50-vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).
Në deklaratën me shkrim nga policia e Izraelit thuhet se përveç për meshkujt nën moshën 50-vjeçare, nuk është sjellë ndonjë kufizim tjetër për sa i përket gjinisë femërore.
Policia po ashtu ka njoftuar se në muret e Jerusalemit dhe brenda rajonit të Qytetit të Vjetër janë vendosur forca shtesë policore dhe se në këtë rajon do të mbyllen edhe disa rrugë.
Sipas policisë, ndalesat në fjalë janë marrë pasi "është marrë informata se palestinezët sot përgatiten të protestojnë dhe nxisin reagim".
Çfarë ndodhi?
Përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.
Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.
Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë tetë palestinezë.
Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.
Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor "kontrolle të zgjuara" bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.
Autoritetet izraelite dje në orët e hershme të mëngjesit hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë.
Muslimanët dje u mblodhën për të falë namazin e ikindisë në Al Aksa pas thirrjes së dijetarëve të Jerusalemit. Fillimisht, policia izraelite nuk hapi disa porta të kompleksit, por pas reagimit intensiv të palestinezëve, dje në Al Aksa u hapën të gjitha portat dhe dhjetra mijëra persona filluan të hyjnë në kompleks.
Më pas, policia izraelite filloi të intervenojë ndaj palestinezëve brenda dhe jashtë Al Aksasë me shok bomba dhe plumba gome dhe mbylli të gjitha portat përveç Portës Asbat. Mbi njëqind palestinezë u plagosën gjatë intervenimit policor.
Kjo gjendje shkaktoi përplasje mes palestinezëve dhe policisë izraelite në oborrin dhe portat e Al Aksasë. Pas namazit të jacisë, policia izraelit hyri në Al Aksa dhe u përpoq të nxjerrë me forcë muslimanët brenda Xhamisë së Kibles. Firas ed-Dibs, koordinatori mediatik i Vakëfeve Islame të Jerusalemit, tha se forcat izraelite u përpoqën të thyejnë njërën nga dyert në xhami për të intervenuar.