Ali H. M.Abo Rezeg
27 Korrik 2017•Përditësim: 27 Korrik 2017
GAZA (AA) - Shumë grupe palestineze e vlerësojnë tërheqjen e masave të diskutueshme të sigurisë nga autoritetet izraelite në xhaminë Al Aksa si "fitore" për të gjithë popullin palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).
"Ne konfirmojmë se ajo që ndodhi sot (e enjte) ishte një faqe e shkëlqyer dhe fitimtare në historinë e Palestinës", tha në një deklaratë kreu i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Hanijeh.
Deklarata e tij vjen pasi autoritetet izraelite i hoqën mbetjet e fundit të masave të sigurisë në Xhaminë Al Aksa.
"Njerëzit tanë dhe njerëzit e Al Kudsit (Jerusalemit) dëshmuan se ata janë kujdestarët superiorë të xhamisë Al Aksa dhe vendeve të shenjta islame dhe të krishtere atje," tha Hanijeh.
Hanijeh vazhdoi duke thënë se veprimi i përbashkët kombëtar nga fraksione të ndryshme palestineze dhe njerëz të zakonshëm ishte një nga arsyet prapa "suksesit në këtë betejë".
Nga ana e tjetër, Lëvizja Xhihadi Islam komentoi: "Kjo fitore nuk mund të arrihej pa unitetin e popullit tonë ... para së gjithash, autoriteteve fetare (të Xhamisë Al Aksa)".
"Ne e përgëzojmë të gjithë popullin tonë për këtë fitore, pasi armiku izraelit u gjunjëzua para vullnetit të rezistencës së popullit palestinez", tha Muhammed al-Hindi, anëtar i byrosë politike të lëvizjes.
Al-Hindi tha: "Kjo arritje është leksion për Izraelin që forca e tij është e kufizuar përballë frymës së rezistencës dhe sakrificave të popullit palestinez".
Fronti Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP) e quajti largimin e masave izraelite në Xhaminë Al Aksa si "leksion i madh".
"Beteja jonë me pushtimin është ende e hapur dhe duhet të integrohet dhe të vazhdojë deri në çlirimin e plotë të Palestinës", tha Mariam Abu Daka, anëtare e Byrosë Politike të PFLP-së.
Abu Daka i bëri thirrje popullit palestinez të vazhdojë luftën dhe t'i shtojnë arritjet e tyre.
Muslimanët do të kthehen në xhaminë Al Aksa për t'u lutur pas gati dy javësh, njoftuan krerët fetarë më herët të enjten.
Muslimanët palestinezë falnin namazin në rrugët jashtë mureve të lashta të kompleksit të xhamisë që nga 14 korriku në shenjë proteste ndaj masave të sigurisë izraelite.
Vendimi për t'u kthyer në xhami u njoftua pas një takimi figurave të larta islame të Këshillit të Vakëfit të Jerusalemit.
Vendimi erdhi pas një nate festimesh në rrugë nga mijëra palestinezë, të cilët festuan fitoren kundër vendosjes së Izraelit të detektorëve metalikë dhe kamerave në hyrjet e vendit të shenjtë.
Kujtojmë se përshkallëzimi i situatës në Al Aksa ndodhi kur autoritetet izraelite mbyllën Xhaminë Al Aksa dhe anuluan namazin javor të së premtes për herë të parë pas gati pesë dekadash, pasi më 14 korrik policia izraelite vrau tre palestinezë me arsyetimin se kanë ndërmarrë sulm të armatosur, ndërsa pohoi se dy policë izraelitë kanë humbur jetën si pasojë e incidentit.
Xhamia më vonë u rihap pasi policia instaloi detektorë metali dhe kamera në portat e saj.
Muslimanët protestuan kundër masave dhe falën namazin para portave të kompleksit, ndërsa hasën në ndërhyrje nga forcat izraelite. Përplasjet me policinë çuan në vdekjen e 11 personave, përfshirë tetë palestinezë.
Megjithatë, Izraeli refuzoi të hiqte detektorët, duke pohuar se masat e sigurisë ishin të ngjashme me procedurat e përdorura në vende të tjera të shenjta anembanë botës.
Duke u përkulur ndaj presionit ndërkombëtar, Izraeli hoqi detektorët e metalit më 25 korrik, por tha se një sistem i ri i mbikëqyrjes që përdor "kontrolle të zgjuara" bazuar në teknologjinë e përparuar do të vihej në vend të tyre.
Autoritetet izraelite sot në orët e hershme të mëngjesit hoqën edhe barrierat e hekurit të vendosura pranë portave të Al Aksasë.