Fuat Kabakcı
16 dhjetor 2019•Përditësim: 17 dhjetor 2019
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës ka reaguar ndaj deportimit të dy diplomatëve të saj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke porositur se akuzat për spiunazh janë të pabaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Punëve të Jashtme, Ging Shuang, në konferencën për gazetarë në Pekin tha se kritikat amerikanë në llogari të diplomatëve kinezë për “spiunazh” janë të pabaza, dhe për këtë shkak dërgojnë protestë në Washington.
“I bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që sa më shpejtë të përmirësojnë gabimin e tyre, të shfuqizojnë vendimin dhe të mbrojnë të drejtat e diplomatëve kinezë në çka janë të obliguar nga Konventa e Vjenës”, porositi Ging.
E përditshmja amerikane “New York Times” raportoi dje se dy diplomatë kinezë pranë ambasadës në Washington, në shtator të këtij viti, pa leje kanë hyrë në një bazë ushtarake në SHBA, për shkak të cilës më vonë janë deportuar nga vendi.
Theksohet se dy diplomatët mbërritën në automjet, së bashku me gratë e tyre, ndërsa u ndaluan në një pikë kontrolli në një bazë ushtarake në Virxhinia, por vazhduan rrugën ndonëse nuk kishin leje të hynin.
Zyrtarët amerikanë vlerësuan se nuk bëhet fjalë për një hyrje të rastësishme pa leje. Ata theksuan se diplomatët kinezë mund të jenë përpjekur të hyjnë në bazë për të testuar sigurinë.
SHBA për herë të fundit në vitin 1987, deportoi dy diplomatë nga ambasada e Kinës në Washington.