Emre Aytekin
16 Dhjetor 2021•Përditësim: 16 Dhjetor 2021
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në Kinë deri me tani numri i rasteve të zbuluara ka shkuar në 100 mijë, me regjistrimin edhe të dhjetëra rasteve të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, në 24 orët e fundit janë zbuluar 77 raste me COVID-19, prej të cilave 69 janë me origjinë vendase.
Në provincën Ciciang në lindje të vendit u zbuluan 56 nga rastet me origjinë vendase, gjashtë raste me origjinë lokale në provincën Guangdong në jug, katër raste në provincën Shensi në veri, dy raste në Rajonin Autonom të Mongolisë së Brendshme veriore dhe një rast me origjinë lokale në provincën Anhui në lindje.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit janë konstatuar tetë raste me origjinë nga jashtë dhe nuk është regjistruar asnjë humbje jete nga virusi.
Në Kinë deri më sot dhe 4.636 persona kanë vdekur për shkak të virusit, 93.858 pacientë u shëruan dhe 1.506 pacientë tjerë vazhdojnë trajtimin e tyre.
Numri i përgjithshëm i rasteve i kalon 50 milionë në SHBA, 30 milionë në Indi, 20 milionë në Brazil dhe 10 milionë në Britani dhe Rusi. Fakti që Kina mbetet me 100 mijë raste në dy vjet, vendi më i populluar në botë me një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh, dëshmon se Pekini ka qenë kryesisht i suksesshëm në kontrollin e pandemisë.
Kina po zbaton një strategji "zero rast" që synon të izolojë rastet me COVID-19 kur ato shfaqen dhe të ndërpresë zinxhirin e transmetimit. Kjo strategji kërkon masa strikte dhe në shkallë të gjerë si karantina, kufizimet e udhëtimit dhe testimet masive. Ndërhyrja e masave në rrjedhën e zakonshme të jetës dhe kostot që ato krijojnë shkaktojnë debate dhe reagime herë pas here.
- Virusi COVID-19 u zbulua për herë të parë në Wuhan të Kinës
Bota u njoftua me pandeminë e COVID-19 për herë të parë kur Kina i raportoi Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) se "sëmundja misterioze e frymëmarrjes me origjinë të panjohur" u shfaq në qytetin Wuhan, provincën Hubei, më 31 dhjetor 2019.
Sëmundja u konstatua për herë të parë te njerëzit që vizituan tregun e ushqimeve të detit në Wuhan, provincën Hubei të Kinës. Pacienti i parë u shtrua në spital më 17 nëntor me ankesën për “shqetësim frymëmarrje”, shkaku i të cilit nuk dihet. Më pas u kuptua se sëmundja që shkakton inflamacion të mushkërive ishte shkaktuar nga një virus i panjohur.
I perceptuar fillimisht si një "epidemi" (epidemi lokale ose rajonale) që prek Kinën dhe rrethinat e saj, COVID-19 u shndërrua në një "pandemi" (epidemi globale) që kaloi kufijtë dhe kërcënoi shëndetin publik në mbarë botën në ditët në vijim.
Sipas faqes së internetit “Worldometers”, ku janë përpiluar të dhënat e COVID-19, numri i rasteve me COVID-19 në mbarë botën ka kaluar shifrën 272.469.000 dhe numri i viktimave kaloi 5.345.000.