Ekip
20 Gusht 2017•Përditësim: 20 Gusht 2017
BARCELONA (AA) – Meshë zyrtare për viktimat e sulmit në Barcelonë dhe Cambrils është mbajtur sot në katedralën e famshme Sagrad Familia, kryevepra e Antoni Gaudi, që është simbol i krishterizmit evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në meshën e katedralës më të njohur në Barcelonë morën pjesë anëtarët e familjeve të viktimave, familjes mbretërore spanjolle, zyrtarët politikë katalanas, si dhe përfaqësuesit e bashkësisë myslimane në këtë krahinë spanjolle.
Kryepeshkopi i Barcelonës Joan Josep Omella bëri thirrje që mbarë vendi të bashkohet për shkak të paqes në botë, ndërsa praninë e madhe në meshë e quajti “mozaik të shkëlqyer të unitetit për shkak të qëllimit të përbashkët, paqes, respektit, bashkëjetesës vëllazërore dhe dashurisë”.
Ai lexoi edhe telegramin e ngushëllimit të prijësit të kishës katolike Papa Françeskut, i cili sulmet në Katalonjë i quajti “akt mizor terrorist” dhe “fyerje e rëndë ndaj Zotit”.
Në sulmet terroriste në Barcelonë dhe Cambrils të enjten humbën jetën 14 persona, ndërsa më shumë se 120 u lënduan. Përgjegjësinë për sulmin e mori organizata terroriste DEASH.
Policia katalanase njoftoi se edhe më tej është duke kërkuar marokenin 22 vjeçarë Younes Abouyaqoub, për të cilin dyshohet se ka qenë vozitësi i furgonit që hyri në mesin e njerëzve në shëtitoren në Barcelonë.