Daniel Gallego,Mehmet Nuri Uçar
20 Gusht 2017•Përditësim: 21 Gusht 2017
MOSUL (AA) - Në operacionet e nisura nga forcat e Irakut për çlirimin e Telafer-it nga organizata terroriste DEASH njoftohet se janë vrarë të paktën 31 militantë, raporton Anadolu Agency (AA).
Fillon operacioni për çlirimin e qytetit Telafer nga DEASH
Togeri Beha al-Mejahi nga Policia Federale e Irakut për AA tha se organizata terroriste DEASH duke përdorur autobomba përpiqet të parandalojë përparimin e forcave irakiane nga jugperëndimi në Telafer.
Duke theksuar se gjatë konflikteve janë vrarë të paktën 14 militantë të DEASH-it, al-Mejahi njoftoi se ka të vrarë dhe të plagosur edhe nga milicët iranianë Shia Hashd al-Shaabi që janë në mesin e forcave të Irakut.
Ndër të tjera, al-Mejahi ka shtuar se avionët dhe tanket e ushtrisë kanë asgjësuar 4 autobomba dhe se forcat e sigurisë kanë kryer një bastisje në fshatin El-Ibre, në veriperëndim të Telafer-it.
Ndërsa, majori Ganim Hammudat al-Azavi ka theksuar se njësitet e artilerisë, sipas të dhënave paraprake kanë vrarë 17 militantë dhe kanë plagosur dhjetëra të tjerë në sulmet e ndërmarra kundrejt vijës së parë mbrojtëse të DEASH-it.
Më tej al-Azavi ka shtuar se sipas inoformacioneve nga forcat ajrore të Irakut dhe forcat e koalicionit ndërkombëtarë nën udhëheqjen e SHBA-ve, në sulmet e kryera janë shkatërruar gjashtë pozicione raketëhedhëse dhe tre automjete të DEASH-it.
Mijëra civilë kanë mbetur të bllokuar
Bëhet e ditur se njëkohësisht me operacionin e çlirimit të Telafer-it vazhdojnë edhe punimet për evakuimin e civilëve në rajon.
Kapiteni Xhabbar Hasan, me detyrë në ushtrinë e Irakut tha se, "Forcat tona të sigurisë, pas fillimit të operacionit, në orët e para të mëngjesit kanë evakuuar dhe dërguar në zonat e sigurta 290 civilë nga rajoni përreth Telafer-it".
Në ndërkohë, nga forcat e koalicionit ndërkombëtarë bëhet e ditur se në qendrën e qytetit Telafer dhe zonat përeth kanë mbetur të bllokuar 10 deri në 50 mijë civilë.
Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, këtë mëngjes njoftoi nisjen e operacionit të çlirimit nga DEASH-i dhe se militantët në Telafer nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër përveç se "të dorëzohen ose të vriten".
Qyteti Telafer, që ndodhet 63 km në perëndim të qendrës së Mosulit dhe është i banuar kryesisht nga turkmenët, nga 16 qershor i vitit 2014 ndodhet nën kontrollin e organizatës terroriste DEASH.