Meryem Göktaş
03 Tetor 2018•Përditësim: 03 Tetor 2018
KOMBET E BASHKUARA (AA) - Kombet e Bashkuara (OKB) kanë përcaktuar 15 milionë dollarë për të ndihmuar viktimat në Indonezi, pasi një tërmet dhe cunami shkaktuan shkatërrime masive në ishullin indonezian Sulawesi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive të Indonezisë (BNPB), numri i të vdekurve nga tërmeti dhe cunami me magnitudë 7.4 është rritur në 1.407 persona.
Sipas një deklarate ga OKB, rreth 66 mijë shtëpi dhe infrastrukturë vitale është dëmtuar, duke përfshirë rrugët dhe urat.
Deklarata bën të ditur se OKB përcakton 15 milionë dollarë nga Fondi i saj Qendror i Emergjencave (CERF) për të mbështetur viktimat e prekura nga tërmeti dhe cunami.
“Mijëra njerëz nuk janë në gjendje të kthehen në shtëpitë e tyre të dëmtuara ose të shkatërruara dhe dridhjet vazhdojnë. Përderisa qeveria po punon pa lodhje për të ofruar ndihmë për shpëtimin e jetës, nevojat mbeten të mëdha”, theksoi OKB.
Viktimat e fatkeqësive kanë vështirësi në marrjen e nevojave themelore, si ushqimin dhe ujin e pijshëm.
Puna e kërkimit dhe e shpëtimit në ndërtesat e shkatërruara në të gjithë rajonin vazhdon.
Katastrofa në Sulawesi mund të jetë tragjedia e dytë më e madhe e Indonezisë pas cunamit Aceh të vitit 2004, që vrau më shumë se 170 mijë njerëz.