Ekip
25 Qershor 2020•Përditësim: 26 Qershor 2020
Rreth 269 milionë njerëz përdorën drogë në të gjithë botën në vitin 2018, që është 30 për qind më shumë se në vitin 2009 ndërsa mbi 35 milionë njerëz vuajnë nga çrregullimet e përdorimit të drogës, thuhet sot në raportin e OKB-së, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raporti i publikuar nga Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimet (UNODC) në Vjenë analizon ndikimin e COVID-19 në tregjet e drogës.
Derisa efektet e pandemisë ende nuk dihen plotësisht, raporti thotë se mbyllja e kufijve dhe kufizimet e tjera të lidhura me pandeminë tashmë kanë shkaktuar mungesë të drogës në rrugë, duke çuar në rritje të çmimeve dhe ulje të pastërtisë.
Raporti thekson se rritja e papunësisë dhe zvogëlimi i mundësive të shkaktuara nga pandemia ka të ngjarë se ka ndikuar në shtimin e varfërisë në mënyrë disproporcionale, duke i bërë ata më të ekspozuar ndaj përdorimit të drogës dhe trafikimit të drogës dhe kultivimit për të fituar para.
"Grupe të cenueshme dhe të margjinalizuara, të rinjë, gra dhe të varfrit paguajnë koston e problemit botëror të drogës", tha drejtoresha ekzekutive e UNODC, Ghada Waly.
"Kriza e COVID-19 dhe rënia ekonomike kërcënojnë të komplikojnë rrezikun e drogës edhe më tej kur sistemet tona shëndetësore dhe sociale janë pranë humnerës ndërsa shoqëritë tona përpiqen të përballojnë këtë situatë", tha ajo.
Kanabisi ishte substanca më e përdorur në të gjithë botën në vitin 2018, ku rreth 192 milionë njerëz e kanë përdorur atë në nivel global.
Megjithatë, opioidet mbeten më të dëmshmet, pasi, gjatë dekadës së kaluar, numri i përgjithshëm i vdekjeve për shkak të çrregullimeve të përdorimit të opioidëve u rrit me 71 për qind, me një rritje prej 92 për qind në mesin e grave krahasuar me 63 për qind tek burrat.
Për shkak të COVID-19, trafikantët janë detyruar të gjejnë rrugë dhe metoda të reja. Aktivitetet e trafikimit mund të rriten përmes rrjetit të sofistikuar të internetit dhe dërgesave me postë, megjithëse zinxhiri ndërkombëtar i furnizimit postar është ndërprerë, thuhet në raport.
Pandemia ka çuar në mungesa të opioidëve, e cila mund të rezultojnë që njerëzit të kërkojnë substanca më të disponueshme të tilla si alkooli, benzodiazapani ose përzierja e drogave sintetike.
"Modele më të dëmshme të përdorimit mund të shfaqen ndërsa disa përdorues kalojnë në injeksion ose injeksione më të shpeshta", thuhet në raport.
Përdorimi i drogës u rrit shumë më shpejtë në vendet në zhvillim gjatë periudhës 2000-2018 sesa në vendet e zhvilluara.
Adoleshentët dhe të rinjtë përbëjnë pjesën më të madhe të përdoruesve të drogës ndërsa të rinjtë janë më të prekurit ndaj drogave për shkak të përdorimit të madh ndërsa truri i tyre është ende në zhvillim.
Ndikimi i ligjeve që kanë legalizuar kanabisin në disa juridiksione ende është vështirë të vlerësohet, thuhet në raport i cili shton se vlen të përmendet se përdorimi i shpeshtë i kanabisit është rritur në të gjitha këto juridiksione pas legalizimit.
Në disa prej këtyre juridiksioneve më shumë produkte të fuqishme të kanabisit janë më të zakonshme në treg.
Kanabisi mbetet droga kryesore që sjell njerëzit në kontakt me sistemin e drejtësisë penale. Ajo përbën më shumë se gjysmën e rasteve të kundërvajtjes ligjore, bazuar në të dhënat nga 69 vende që mbulojnë periudhën midis viteve 2014 dhe 2018.