Bayram Altuğ
17 Tetor 2017•Përditësim: 17 Tetor 2017
GJENEVË (AA) - Kombet e Bashkuara (OKB) i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të intensifikojë përpjekjet për solidaritet me muslimanët e Arakanit të cilët kërkojnë strehim në Bangladesh dhe që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zv. Sekretari i OKB-së për Çështjet Humanitare, Mark Lowcock, Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin William Lacy Swing, në një deklaratë të përbashkët kanë tërhequr vëmendjen për tragjedinë që po përjetojnë muslimanët e Arakanit.
Në deklaratën e OKB-së rikujtohet se ka shkuar mbi 500 mijë numri i muslimanëve të Arakanit që janë strehuar në Bangladesh që nga 25 gushti e deri tani. Gjithashtu vihet në dukje se po përballen me "një krizë të madhe njerëzore" dhe "krizën e refugjatëve që rritet më shpejtë në botë" përsa i përket nga pikëpamja e shpejtësisë dhe përmasave.
"Burimi i kësaj krize ndodhet në Mianmar dhe për këtë arsye edhe zgjidhjet qëndrojnë në Mianmar", thuhet në deklaratë ku bëhet e ditur se pavarësisht të gjitha përpjekjeve të OKB-së, qeverisë së Bangladeshit, vullnetarëve, organziatave të shoqërisë civile, refugjatët e Arakanit kanë më shumë nevojë për ndihma njerëzore.
Në Gjenevë do të mbahet konferencë për Arakanin
Ndër të tjera në deklaratë i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të intensifikojë përpjekjet për të gjetur zgjidhje ndaj problemit të Arakanit, për t'i dhënë fund fluksit të refugjatëve, mbështetjen e popullatës lokale që janë pritës në kampet në Bangladesh dhe për të siguruar rikthimin në mënyrë të sigurtë e vullnetare të refugjatëve të Arakanit.
Më tej në deklaratën thuhet se më 23 tetor në Gjenevë të Zvicrës do të mbahet një konferencë në ndihmë të muslimanëve të Arakanit dhe i bëhet thirrje gjithë botës që të jetë në solidarizim dhe në ndihmë të muslimanëve të Arakanit.
OKB-ja ka njoftuar se ka arritur në 536 mijë numri i refugjatëve muslimanë të Arakanit të cilët që nga 25 gushti janë strehuar në Bangladesh për shkak të ngjarjeve të dhunshme në Mianmar.
Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.
Gjatë sulmeve të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar rreth 200 fshatra. Dhjetëra mijëra muslimanë nga Arakani (Rohingya) përpiqen të largohen nga rajoni për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonës malore.