Övünç Kutlu
11 Shkurt 2021•Përditësim: 11 Shkurt 2021
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen, tha se keqpërdorimi i kriptovalutave, si Bitcoin, për terrorizmin është një problem në rritje, raporton Anadolu Agency (AA).
"Unë e shoh premtimin e këtyre teknologjive të reja, por gjithashtu shoh realitetin. Kriptovalutat janë përdorur për pastrimin e fitimit të trafikantëve të drogës online dhe kanë qenë një mjet për financimin e terrorizmit", deklaroi ajo të mërkurën në përurimin e Tryezës së Rrumbullakët të Politikave të Inovacionit të Thesarit të SHBA-së në Sektorin e Financave.
"Po jetojmë në mes të një shpërthimi të rrezikut në lidhje me mashtrimin, pastrimin e parave, financimin e terrorizmit dhe privatësinë e të dhënave," shtoi ajo.
Kongresi i SHBA-së në dhjetor miratoi Aktin Kundër Pastrimit të Parave duke i dhënë Thesarit një mandat për rinovimin e luftimit të qarqeve të paligjshme financiare, që u hartua fillimisht gjatë viteve 1970 dhe nuk është azhurnuar që prej asaj kohe.
Ligji është pjesë e Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare që kërkon azhurnimin e ligjit të pastrimit të parave dhe parandalimin e financimit të terrorizmit.
Yellen theksoi se azhurnimi do të mundësonte dallimin e kriminelëve që duan të shesin armë të shkatërrimit në masë në tregun e zi.
Në kohën kur Yellen ishte kryetare e Rezervave Federale, ajo ishte skeptike ndaj Bitcoin dhe kriptomonedhave të tjera duke thënë se nuk ishte "admiruese e tyre" në vitin 2017.
Megjithëse kriptovalutat e bëjnë më të lehtë për përdoruesit lëvizjen e likuiditetit midis vendeve, tregjet e kriptovalutës dhe ofruesit e shërbimeve e kanë bërë të detyrueshme regjistrimin e identitetit të përdoruesve, kurse teknologjia "blockchain" mban informacion masiv mbi aksionet e parave.