Ekip
11 Shkurt 2021•Përditësim: 11 Shkurt 2021
Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) filloi një tjetër stërvitje të madhe ushtarake në jugperëndim të vendit, një ditë pasi shënoi 42-vjetorin e revolucionit të vitit 1979, transmeton Anadolu Agency (AA).
Gjenerali brigadier Mohammad Pakpour, komandanti i forcave tokësore të IRGC-së, njoftoi fillimin e stërvitjes me emrin e koduar "Profeti i Madh 15", mes tensioneve të zhurmshme në rajonin e Gjirit Persik.
Ai tha se stërvitja e cila është vijimësi e një serie stërvitjesh të fundit ushtarake, synon të vlerësojë "arritjet dhe aftësitë e fundit, të rishikojë potencialin e ri operativ dhe të provojë forcën operacionale" të pajisjeve luftarake dhe mbrojtëse të IRGC-së.
Zyrtari i lartë ushtarak tha se forcat tokësore të IRGC-së janë "plotësisht të përgatitura për çdo kërcënim të mundshëm", duke aluduar në tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit.
Kjo vjen disa ditë pasi anija luftarake "Makin Island" (LHD-8) e SHBA-së kaloi përmes Ngushticës së Hormuzit dhe hyri në ujërat e Gjirit Persik, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.
Theksohet se anija kërkon të "mbështesë stabilitetin dhe sigurinë në Komandën Qendrore të SHBA-së” e cila monitoron operacionet e SHBA-së në 20 vende të rajonit, përfshirë Iranin.
"Makin island" është anija e dytë luftarake amerikane që operon në Gjirin Persik, afër ujërave territoriale të Iranit, që nga Nimitz (CVN-68), e cila kaloi dy muaj në Gjirin Persik midis shtatorit dhe nëntorit.
Tensionet midis Teheranit dhe Washingtonit, të cilat shënuan përshkallëzim marramendës në muajt e fundit të mandatit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, vazhdojnë të ziejnë pavarësisht interesit të presidentit të SHBA-së, Joe Biden për të hapur një kapitull të ri me Iranin.
Të dyja palët ndryshojnë për mënyrën e ringjalljes së marrëveshjes bërthamore të Iranit të vitit 2015, me secilën palë duke pritur që tjetra të bëjë lëvizjen e parë.