Abduljabbar Aburas,Gülşen Topçu
25 Dhjetor 2019•Përditësim: 26 Dhjetor 2019
Qindra ushtarë mercenarë sudanezë i janë bashkuar luftës në Libi që lideri puçist Khalifa Haftar zhvillon kundër Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, e cila është qeveria e njohur ndërkombëtarisht, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të gazetës britanike "The Guardian", pretendohet se një valë e re e mercenarëve sudanezë kanë mbërritur në Libi dhe se kjo situatë mund ta kthejë luftën mes palëve në një luftë ndërkombëtare e cila do të trondisë stabilitetin e rajonit.
Në lajm theksohet se komandantët e forcave milice sudaneze në Libi kanë thënë që në muajt e fundit në vend kanë mbërritur qindra persona për të luftuar.
"Vijnë shumë të rinj, nuk kemi kapacitet për të pranuar një numër kaq të madh të milicëve. Aktualisht në Libi ndodhen të paktën 3 mijë milicë sudanezë", është shprehur një prej komandantëve të forcave në fjalë që janë të pozicionuar në jug të Libisë.
Shumica e të ardhurve me valën e mercenarëve thuhet se përbëhen nga personat që kanë luftuar kundër regjimit të liderit të rrëzuar Omar Al-Bashir në Sudan dhe se disa të tjerë janë përfshirë në luftën në rajonin Darfur.
Sipas gazetës, të gjithë komandantët e intervistuar janë shprehur se dëshirojnë të kthehen në vendin e tyre dhe të luftojnë kundër qeverisë së tranzicionit e cila ka ardhur në pushtet së fundmi pas rrëzimit të Bashir.
Haftar një pjesë të nevojës për burime njerëzore e cila me sulmin ndaj Tripolit ka arritur në një nivel të lartë e plotëson me mercenarë nëpërmjet financimeve të siguruara nga aleatët.
Në mesin e mercenarëve në fjalë ndodhen milicë të Ushtrisë së Pavarur të Sudanit dhe milicë sudanezë Janjaweed.