Fatjon Cuka
29 Gusht 2023•Përditësim: 30 Gusht 2023
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mori pjesë në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni, ndërkohë në fjalën e tij në panelin e liderëve u fokusua në integrimin evropian, por fjalën e tij ai e shoqëroi edhe me ironi dhe batuta, raporton Anadolu.
Rama theksoi se i gjithë procesi i negociatave të pranimit nuk është të bindin BE-në që janë të mirë për ta, por sipas tij, është të transformojnë vendet. Ai shtoi se "negociatat për mua janë transferimi i dijeve për shtetformimin që ka krijuar ndonjëherë njerëzimi".
Rama theksoi se BE-ja është një aspekt shumë i rëndësishëm, një princip i rëndësishëm dhe kjo është ajo çfarë sipas tij e ka krijuar BE-në, si një projekt i paqes në bazë të vlerave që siç tha Rama "Ukraina duhet parë si një vend i mundshëm anëtar, por do dëshiroja që kjo të mos jetë kërcënim për Ballkanin Perëndimor".
Rama tha më tej “Më duhet të them që nuk jam aspak i paduruar. Isha i paduruar shumë përpara se të filloja negociatat sepse dukej shumë neurotike kur na thoshin ‘ne duam të martohemi me ju, por s’duam të flasim me ju’”.
"Kur Dritani (kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq) po fliste, po e shikoja dhe po thoja me vete ‘kush duhet të sulmojë kë’ në këtë panel për të marrë anëtarësimin më shpejt me Ukrainën. Dhe Bullgaria mund të sulmojë fare mirë Maqedoninë e Veriut, Kroacia mund të sulmojë fare mirë Serbinë, Serbia, Kosovën, Bosnja, veten, pa asnjë problem. Ne nëse pyesnim grekët që të na bëjnë nderin dhe ata do na sulmojnë neve me shume kënaqësi. Mali i Zi mund të luajë, të shullehet në diell kështu që ne mund të jemi te gjithë gati për t’ju bashkuar trenit me Ukrainën. Prandaj këtë do ta përmblidhja në këtë formë", tha Rama, duke ironizuar mbi procesin e integrimit evropian.
Duke iu përgjigjur pyetjes mbi të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, Rama vazhdoi ironizimin dhe batutat tij.
"Dhe pika e fundit është që gjithmonë kam menduar që të punosh falas 50 vite, përkundër Perëndimit, Enver Hoxha na bëri më pro amerikanë dhe pro evropianë se kushdo tjetër, por do na duhen edhe 50 vjet të tjera pas rënies së komunizmit derisa ne të mos jemi pakushtmërisht pro amerikanë dhe properëndimorë, pra kemi ende 20 vite euro-optimizëm dhe shpresojmë që deri atëherë ju ta keni përmbushur premtimin tuaj, Charles", u shpreh ndër të tjera Rama.
Batuta edhe për vdekjen e Prigozhinit
Rama bëri batutë edhe në lidhje me vdekjen e kreut të kompanisë ushtarake private ruse 'Wagner', Yevgeny Prigozhin, i cili ishte ndër dhjetë personat që humbën jetën kur avioni privat 'Embraer' u rrëzua pak pasi u nis nga Moska për në Shën Petersburg më 23 gusht.
“Nuk e di nëse dëgjuat që Rusia ka negociatën për të unifikuar orën sepse kanë 9 orë diferencë nga njëra anë e vendit në tjetrën dhe kryeministri shkoi te Putini dhe tha: Zoti president kemi një problem. E dërgova pikërisht familjen time me pushime dhe i mora në telefon për t’i thënë 'natën e mirë'. Ishte mëngjes atje dhe ata ishin në plazh. E mora Olaf Scholzin për përvjetorin e tij dhe më tha që është nesër. Mora Xi Jinping për vitin e ri ta uroja dhe më tha që është ende viti i vjetër. Dhe Putin i thotë: E di, më ndodh dhe mua, dhe unë mora familjen e Prigozhinit për të shprehur ngushëllime, por avioni nuk ishte nisur ende”, tha Rama
Në kuadër të punimeve të forumit, Kryeministri Rama mori pjesë në panelin e liderëve, së bashku me liderët e tjerë, të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe zyrtarëve të tjerë.
Forumi Strategjik i Bledit është një platformë globale gjithëpërfshirëse për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj, duke ofruar pikëpamje dhe zgjidhje strategjike për çështjet më urgjente të së sotmes dhe të së nesërmes.