Bilal Güler
21 janar 2024•Përditësim: 22 janar 2024
Dyshohet se ka viktima pasi një aeroplan çarter me gjashtë persona në bord u rrëzua në veri të Afganistanit, njoftuan zyrtarët dhe mediat lokale, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë nga Ministria e Informacionit e Afganistanit thuhet se avioni që i përkiste një kompanie indiane u rrëzua në provincën veriore Badakhshan.
Ende nuk ka raporte të konfirmuara për viktima.
Zabihullah Amiri, një zyrtar i Departamentit provincial të Informacionit dhe Kulturës, tha se një ekip është dërguar në vendin e përplasjes në zonën Topkhana të rrethit Kuran-Munjan.
Megjithatë, Ministria e Aviacionit e Indisë sqaroi se avioni nuk ishte as në pronësi të qeverisë dhe as të ndonjë kompanie indiane.
“Përplasja fatkeqe e avionit që sapo ka ndodhur në Afganistan nuk është as një avion i planifikuar indian, as aeroplan i paplanifikuar (NSOP)/çarter. Është avion i vogël i regjistruar në Marok. Priten më shumë detaje”, tha ministria në një postim në “X”.
Autoritetet ruse të aviacionit thanë se avioni me gjashtë persona në bord ishte një fluturim çarter që po udhëtonte nga India përmes Uzbekistanit për në Moskë.
Avioni Dassault Falcon 10 i prodhimit francez ishte i regjistruar në Rusi dhe u zhduk nga ekranet e radarëve mbi Afganistan të shtunën në mbrëmje, thanë autoritetet ruse.
Autoritetet e Rusisë thanë se janë në kontakt me qeverinë e Afganistanit dhe atë të Uzbekistanit në lidhje me zhvillimet.