Mücahithan Avcıoğlu
06 nëntor 2026•Përditësim: 06 nëntor 2026
Banka Qendrore e Rusisë ka miratuar asetet digjitale Bitcoin, Ether dhe Tether USDT për tregtim publik në bursat vendase, në kuadër të një rregulloreje që hyn në fuqi më 17 nëntor, transmeton Anadolu.
Direktiva përcakton një listë të aseteve digjitale që organizatorët e tregtimit mund t’i pranojnë për tregtim publik, si dhe vendos një kufi vjetor të blerjeve për investitorët që nuk kanë status të kualifikuar. Investitorët pa status të kualifikuar do të mund të blejnë asete me vlerë deri në 300 mijë rubla (3.660 dollarë) në vit kalendarik përmes secilit ndërmjetës financiar.
Rregullorja përfshin Bitcoin dhe Ether, kriptomonedhën vendase të rrjetit Ethereum, në listën e valutave digjitale të pranueshme. Në të njëjtën listë përfshihet veçmas edhe Tether USDT, në kategorinë e instrumenteve të huaja digjitale.
Në një shpjegim të mëparshëm të kësaj kornize rregullatore, Banka e Rusisë deklaroi se investitorët pa status të kualifikuar do të kenë qasje vetëm në kriptomonedhat më likuide, me qëllim kufizimin e ekspozimit të tyre ndaj luhatjeve të forta dhe të paparashikueshme të çmimeve.
Kriteret e përzgjedhjes përfshijnë kapitalizimin e tregut, vëllimin mesatar ditor të tregtimit dhe një histori të çmimeve prej të paktën pesë vjetësh në platformat e huaja të tregtimit. Sipas bankës qendrore, investitorët e kualifikuar do të mund të blejnë kriptomonedha që tregtohen në bursa dhe në tregjet jashtë bursave (OTC), pa kufizime në vlerën e blerjeve.
Të gjithë investitorët, pavarësisht statusit të tyre, do të duhet t’i nënshtrohen një testimi dhe të njihen me rreziqet e investimit në asetet kripto përpara se të kryejnë transaksione.