Rıyaz Khalıq
13 Shkurt 2019•Përditësim: 13 Shkurt 2019
ANKARA (AA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kërkojnë një afat kohor për denuklearizimin e Gadishullit Korean, thuhet në një raport të publikuar në prag të takimit të planifikuar të liderëve amerikanë dhe atyre të Koresë së Veriut, raporton Anadolu Agency (AA).
Agjencia e lajmeve të Koresë së Jugut, Yonhap bën të ditur se një delegacion parlamentar i Koresë së Jugut, ka takuar në Washington përfaqësuesin special të SHBA-ve për Korenë e Veriut, Stephen Biegun, ku është bërë fjalë për vizitën e fundit të të dërguarit amerikan në Phenian javën e kaluar.
"Me vetëm dy javë deri në mbajtjen e takimit, do të jetë e vështirë të zgjidhen të gjitha çështjet e ndërlikuara, megjithatë ekziston një mundësi që të pajtohemi për një afat kohor (për denuklearizimin)", citon Yonhap, Biegun t'i ketë thënë delegacionit të Koresë së Jugut.
Kujtojmë se presidenti i SHBA-ve Donald Trump dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, pritet të mbajnë një takim dyditor në Hanoi të Vietnamit më 27 dhe 28 shkurt.
Biegun u ka thënë deputetëve të Koresë së Jugut se takimi i tij me homologun e Koresë së Veriut, Kim Hyok-chol, ka mbuluar një sërë çështjesh.
"Që në fillim u pajtuam me koreano-veriorët se kësaj radhe nuk do të negociojmë, por do t'i bëjmë qartë qëndrimet tona", citoi Yonhap zyrtarin amerikan Biegun.
Takimi i liderëve në Hanoi, është një shpresë se do të hartohet marrëveshja “veprim për veprim”, për çmontim të programit bërthamor të Veriut, në këmbim të kërkesës së Phenianit për heqje të sanksioneve të OKB-së.
Trump dhe Kim për herë të parë u takuan në Singapor në qershor të vitit të kaluar, me ç‘rast u angazhuan se do të punojnë në drejtim të denuklearizimit të plotë të Gadishullit Korean, në këmbim të garancive të sigurisë për Phenianin.