Selçuk Acar
19 Shtator 2017•Përditësim: 20 Shtator 2017
NEW YORK (AA) - Dy policë janë plagosur dhe një makine të policisë i është vënë flaka në një protestë të organizuar kundër dhunës policore në shtetin e Georgias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i Universitetit Georgia Tech, Lance Wallace, përmes një deklarate me shkrim ka thënë se protesta është organizuar kundër vrasjes së 21-vjeçarit Scout Schultz nga policia e kampusit para dy ditësh pasi kishte kërkuar ndihmë nga policia përmes linjës 911 dhe se gjatë protestës ka pasur incidente.
Ndërkaq, policia ka njoftuar se protestuesit i kanë vënë zjarrin një makine të policisë dhe se dy policë janë plagosur.
Tre protestues janë arrestuar gjatë protestës.
Protestat në St. Louis do të vazhdojnë edhe të martën
Ndërkohë, në St. Louis janë duke vazhduar protestat që filluan pas vendimit të së premtes për lirimin e ish-nëpunësit policor Jason Stockley, i cili u gjykua për vrasje të shkallës së parë, pasi në vitin 2011 qëlloi për vdekje 24-vjeçarin Anthony Lamar Smith nën dyshimin për shitje të lëndëve narkotike.
Drejtori i policisë në St. Louis, Laërence O'Toole, tha se gjatë protestave që janë duke vazhduar që nga dita e premte janë lënduar 11 policë, kurse 120 protestues janë arrestuar.
Në vazhdën e protestave, Departamenti Amerikan i Drejtësisë theksoi se nuk ka prova të mjaftueshme për të akuzuar ish-policin Stockley.