Handan Kazancı
29 Dhjetor 2021•Përditësim: 29 Dhjetor 2021
Numri i të vdekurve nga shembja e fundit e një miniere ari në shtetin sudanez të Kordofanit Perëndimor është rritur në 38, transmeton Anadolu Agency (AA).
Raportet e mediave konfirmuan 38 vdekjet duke shtuar se disa minatorë ishin ende të zhdukur për shkak të aksidentit, i cili ndodhi të martën.
Sipas raportimeve, të plagosurit u dërguan në një spital aty pranë, ndërsa përpjekjet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar.
Nxjerrja e arit është një burim i rëndësishëm i këmbimit valutor në Sudan, i cili humbi tre të katërtat e të ardhurave të tij nga nafta dhe gati 80 për qind të burimeve të tij valutore pasi Sudani i Jugut fitoi pavarësinë e tij në vitin 2011. Rreth 2 milionë njerëz punojnë në punët tradicionale të minierave.
Ndërkohë, Turqia të mërkurën i shprehu ngushëllime Sudanit për aksidentin vdekjeprurës në minierë.
"Jemi thellësisht të pikëlluar kur morëm lajmin se 38 minatorë humbën jetën si pasojë e shembjes së një miniere në shtetin Kordofan Perëndimor të Sudanit më 28 dhjetor", tha Ministria e Jashtme turke në një deklaratë.
"Dëshirojmë mëshirën e Allahut për ata që humbën jetën në aksident, shprehim ngushëllimet tona të përzemërta për të afërmit e tyre si dhe për popullin mik dhe vëlla të Sudanit", thuhet në deklaratë.