Haydar Hadi
30 Maj 2017•Përditësim: 30 Maj 2017
BAGDAD (AA) – Së paku tetë persona kanë humbur jetën, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur në shpërthimin e fuqishëm që sot në mëngjes ndodhi në qendër të qytetit irakian, Bagdad, që edhe mbrëmë vonë ishte objekt i sulmit vdekjeprurës me bombë, raporton Anadolu Agency (AA).
Zyrtarët policorë për AA konfirmuan se me telekomandë është aktivizuar autobomba e cila ishte e vendosur në qendër të Bagdadit.
Sipas informacioneve të para, gjatë shpërthimit kanë humbur jetën së paku tetë persona, ndërsa 11 të tjerë janë plagosur.
Edhe mbrëmë në një nga lagjet e Bagdadit, Kradah, është kryer sulm me bombë thuajse identik në të cilin u vranë së paku 11 persona, ndërsa u plagosën 50 të tjerë.
Përgjegjësinë për sulmin e mbrëmshëm e mori organizata terroriste DEASH, ndërsa dyshohet se edhe sulmi i sotëm në mëngjes është vepër e rrjetit të njëjtë terrorist.
Iraku është në krizë të thellë politike dhe të sigurisë e cila u përshkallëzua në verën e vitit 2014 kur terroristët e DEASH-it morën qytetin e dytë më të madh në këtë vend, Mosulin, dhe rajone tjera.
Paralelisht me operacionet për çlirimin e këtyre qyteteve të zbatuara nga forcat e bashkuara irakiane, Bagdadi është cak i sulmeve të shpeshta terroriste të cilat vazhdojnë edhe gjatë muajit të Ramazanit.