Büşra Nur Bilgiç
28 Nëntor 2019•Përditësim: 29 Nëntor 2019
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Vadym Prystaiko ka kritikuar vendimin e kompanisë "Apple" për të treguar Gadishullin e okupuar të Krimesë si pjesë të Rusisë për përdoruesit rusë të produkteve të saj, transmeton Anadolu Agency (AA).
Mbrëmë vonë në Twitter, Prystaiko shkroi: "iPhone janë produkte të shkëlqyera. Sidoqoftë, seriozisht @Apple, ju lutem, ju lutem, përmbahuni teknologjisë dhe argëtimit. Politika globale nuk është ana juaj e fortë. #CrimeaIsUkraine".
"Imagjinoni sikur po qani se dizajni dhe idetë tuaja, vitet e punës dhe pjesa e zemrës suaj janë vjedhur nga armiku juaj më i keq, por atëherë ndonjë injorantit nuk i bëhet fare vonë për dhimbjen tuaj. Kështu është ndjenja kur e quani Krimenë tokë ruse", shtoi ai.
Vasily Piskarev, një deputet rus, njoftoi të mërkurën se "Apple" do ta tregojë Krimenë si pjesë të Rusisë, por vetëm për përdoruesit në Rusi.
Përdoruesit e "Apple"-s në SHBA, Ukrainë dhe gjetkë në Evropë raportohet se nuk do të shohin kufij ndërkombëtarë rreth gadishullit.
Rusia dhe Ukraina kanë mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë të Ukrainës pas një referendumi të diskutueshëm.
Turqia si dhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e shohin aneksimin e gadishullit si të paligjshëm.
Ukraina gjithashtu ka fajësuar Kremlinin për dhunën separatiste në Donbas, në lindje të Ukrainës, afër kufirit me Rusinë.