Dzihat Aliju
10 nëntor 2026•Përditësim: 10 nëntor 2026
Vendet e rajonit kanë publikuar mesazhe ngushëllimi me rastin e aksidentit zinxhiror në Bullgari, transmeton Anadolu.
Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova në mesazhin e saj në platformën sociale të kompanisë amerikane X, the se është tronditur thellësisht pasi ka mësuar për aksidentin në autostradën Trakia të Bullgarisë, ku humbën jetën të paktën 10 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
"Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për presidenten Iliana Jotova, familjet që kanë humbur të dashurit e tyre dhe popullin e Bullgarisë. Mendimet e mia janë me të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi. Të plagosurve u uroj forcë dhe shërim të plotë e sa më të shpejtë", u shpreh ajo.
Ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, nga ana e tij, shprehu pikëllim të thellë nga aksidenti tragjik.
"Mendimet dhe ngushëllimet tona më të sinqerta janë me familjet dhe të afërmit e viktimave si dhe me popullin dhe Qeverinë e Bullgarisë. Urojmë sinqerisht shërim të shpejtë dhe të plotë për të gjithë të plagosurit si dhe forcë për të gjithë ata që janë prekur nga kjo tragjedi", shkroi kryediplomati shqiptar në X.
Gjithashtu në mesazhin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës u tha:
"Humbja e jetëve në autostradën Trakia të Bullgarisë është thellësisht prekëse. Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet që po vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Populli i Kosovës qëndron pranë popullit të Bullgarisë në këtë kohë të vështirë".
Në dy aksidente të ndara zinxhir në autostradën Trakia, që lidh Sofjen me Burgasin në Bullgari, të shkaktuara nga mjegulla e dendur, humbën jetën 11 persona ndërsa 48 të tjerë u plagosën.